Shtyhet seanca për falsifikim të tenderit 800 mijë euro për rinovimin e objektit të PSRK-së | Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca për falsifikim të dokumenteve në tenderin 800 mijë euro për renovimin e objektit të PSRK-së

Dështoi seanca gjyqësore e caktuar kundër Tahir  Sopës i cili dyshohet për korrupsion , si pasojë e mungesës së përpiluesit të kërkesës pasurore juridike.

Pretendimet e Prokurorisë janë se me dokumente të falsifikuara, i akuzuari Sopa, kishte fituar tender mbi 800 mijë euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Deri tek dështimi i seancës erdhi për shkak të mos prezencës së përpiluesit të kërkesës pasurore juridike, Genc Hoxha i cili nga gjykata ishte i ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar (KPK-së), Valon Cervadiku në seancë ka njoftuar gjykatën se Hoxha ka ndërruar pozitën e punës dhe në vend të tij në gjykatë kishte ardhur Beqir Dauti, i cili është auditor i brendshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.

Tutje Cervadiku tha se Hoxha dhe Dauti ishin konsultuar lidhur me përpilimin e kërkesës pasurore juridike.

Si rezultat i kësaj, Kryetari i Trupit Gjykues, Naser Foniqi, e ka shtyrë seancën më datën 15 të këtij muaji dhe ka kërkuar që të dëgjohen edhe përpiluesit e kërkesës pasurore juridike.

Prokuroria e Prishtinës në muajin korrik të vitit 2021 ka ngritur akuza drejtë përfaqësuesit të firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, Tahir Sopa.

Dosja e Prokurorisë thotë se Sopa kishte aplikuar në tenderin e shpallur nga autoriteti kontraktues, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe se njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë euro në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.

Tutje në aktakuzë thuhet se Sopa për vërtetimin e disponueshmërisë së 200 mijë eurove për përkrahjen e kompanisë “NBT ING SHPK” kishte paraqitur një letër-përkrahje kinse të lëshuar nga Banka “NLB” e cila ka rezultuar e falsifikuar.

Sopa me këtë rast, dyshohet se i kishte shkaktuar dëm buxhetit të KPK-së në mënyrë që duke paraqitur dokumentacion të rrejshëm kishte fituar tenderin në vlerë prej 811 mijë e 372 euro e 13 centë dhe kështu akuzohet se me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik.

Për këtë arsye Tahir Sopa akuzohet nga prokuroria për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.