Shtyhet seanca në rastin e të dyshuarve për mashtrim me viza

Është shtyrë seanca ndaj I. K., M. Z. dhe E. K., të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprat penale mashtrim, shmangie nga tatimi si dhe pastrimi i parave.

Arsyeja e shtyrjes së kësaj seance, ishte mungesa e të akuzuarit E. K., i cili gjendet jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Këtë e konfirmoi mbrojtësi i tij, Kujtim Kërveshi.

“Ftesë nga Gjykata nuk kemi marrë, as unë e as i mbrojturi im. Unë kam ardhë për korrektësi, sipas ftesës së bërë sot me telefon nga sekretarja juridike e këtij trupi gjykues”, tha Kërveshi.

Ai shtoi se i akuzuari K., nuk gjendet në Kosovë.

Seancat e radhës priten të mbahen më 16 dhe 17 shtator 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, I. K. dhe M. Z., që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht më 2 qershor 2016, kanë regjistruar biznesin, si agjension punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, për çka dyshohen se kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit, Prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.