Gjykimi lidhur me vrasjen e Fahri Bunjakut. FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Shtyhet seanca në gjykimin për vrasjen e vitit 2016 në Podujevë

Për shkak të problemeve shëndetësore të njërit nga të akuzuarit në rastin e vrasjes së  Fahri Bunjakut në vitin 2016, seanca gjyqësore në këtë rast u shty për 19 prill.

Para marrjes së vendimit për shtyrjen e kësaj seance ndaj të akuzuarve Sadat dhe Fejard Llugaliu gjyqtari i rastit Kujtim Krasniqi tregoi se kanë marrë CD-të nga Agjensioni Kosovar për Forenzikë.

“Kemi marrë CD-të nga Agjensioni Kosovar për Forenzikë, për qartësim të videove, kemi vetëm një kopje, por sot s’kemi kohë me i bë kopjet për të gjithë”, tha gjyqtari Krasniqi.

Ai shtoi se, sa i përket numrave të telefonëve, kanë pranuar një parashtresë nga avokatja e e familjes së dëmtuar, Fortesa Mehmeti-Syla.

“Sa i përket numrave të telefonëve, kemi marrë një parashtresë nga avokatja Mehmeti-Syla, që njëri numër është gabim dhe kemi bërë kërkesë në Z-mobile, mirëpo akoma s’kemi marrë përgjigje nga kjo kompani”, shtoi gjyqtari Krasniqi.

Vrasja e Fahri Bunjakut sipas Prokurorisë ka ndodhur në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun, se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve. Ndaj të akuzuarit Esat Llugaliu ishte veçuar procedura.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte dënuar Fejard Llugaliu, me burgim efektiv 3 vjet e 6 muaj, ndërsa i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza për vrasje, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu – Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Konflikti që nisi për kafshë dhe përfundoi me vrasje, eksperti i forenzikës tregon për analizat e ADN-së së të akuzuarve