Shtyhet seanca ndaj ish-përmbarueses, e akuzuar për konfiskimin e traktorit të personit të gabuar

Për shkak të angazhimeve të anëtarëve të trupit gjykues është shtyrë seanca e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Prizrenit.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, njoftoi palët po ashtu se edhe seanca e paraparë që të mbahej nësër do të anulohet.

“Për shkak të angazhimeve të anëtarëve të trupit gjykues në seancat e tyre të caktuara më herët anulohet senaca e datës 3 nëntor 2022” – tha gjykatësja Elezi.

Shqyrtimi i radhës u caktua për datën 15 dhjetor 2022.

Sipas aktakuzës, e pandehura Saranda Kuçi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i ka tejkaluar kompetencat e saj me qëllim që të përfitojë dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në akuzë thuhet se më 22 dhjetor 2021, rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studenqan – Komuna e Suharekës, ka urdhëruar përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e ka konfiskuar traktorin e tipit “Hurliman”, pronë e tani të ndjerit H. B., nga fshati Reshtan – Komuna e Suharekës.

Prokuroria thotë se traktorin e konfiksuar e ka dërguar në pllacin ndërtimor të kreditorit B. G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës.

Me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën e shqyrtimit fillestar Kuqi u deklarua e pafajshme.