Shtyhet seanca ndaj dy vëllezërve të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, u sollën edhe një herë tjetër në gjykatore, por që seanca ndaj tyre nuk u mbajt.

Seanca e paraparë të mbahet më 24.07.2024 është shtyrë për muajin shtator 2024, pas kërkesës të avokatit Besnik Berisha që përfaqëson familjarët e të ndjerit, kërkesë e cila u paraqit nga avokatja që e ka zëvendësuar Berishën, Dafina Osmani.

Osmani njoftoi trupin gjykues me në krye, Medie Bytyqin që Berisha nuk ka mundur të prezantojë në këtë seancë pasi që kishte një urgjencë familjare, duke kërkuar që seanca e sotme të mos mbahet.

Kërkesë kjo e Berishës, nuk u kundërshtua nga asnjëra palë në procedurë.

Sipas aktakuzës, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen se në bashkëkryerje e kanë vrarë biznesmenin, Bedri Rexhepi në prillin e vitit 2021. Prokuroria konsideron se vrasja është kryer për shumë të konsideruar të parave.

Rasti ndaj vëllezërve Vllasaliu gjendet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Rast për të cilin Jeton dhe Nexhat Vllasaliu nuk e kishin pranuar fajësinë.

Misteri i Zhdukjes së Biznesmenit” ishte hulumtimi i të cilin e kishte transmetuar emisioni Kallxo Përnime në majin e vitit 2021.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021 Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.