Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca e Kuvendit, shkak angazhimi i deputetëve në komision

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë fillimin e seancës plenare për në ora 13:00 për shkak të angazhimit të deputetëve në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në këtë komision janë duke u intervistuar kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Seanca e sotme e Kuvendit ishte paralajmëruar të fillonte në ora 11:00 dhe pikë e ardhshme në rend të ditës të kësaj seance është votimi i vazhdimit të masave emergjente për energjinë elektrike.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar nga partitë opozitare të deklarohen nëse do të votojnë për këtë pikë.

“Meqenëse pikën e ardhshme të rendit të ditës e kemi një votim për të cilin opozita nuk ka votuar seancën e kaluar, kërkoj përcaktimin e grupeve parlamentare nëse do të votojnë, nëse nuk voton opozita atëherë detyrohem që këtë seancë do të shtyjë deri në ora 13:00, kur mazhoranca po premton që i ka numrat rreth orës 13:00”-ka thënë Konjufca.

Kryetarët e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë kërkuar të vazhdohet seanca e Kuvendit ashtu siç është paracaktuar pa marrë parasysh angazhimin e deputetëve në komision.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK nuk do ta votojë për vazhdimin e gjendjes emergjente me energjinë.

“Edhe në seancën e kaluar kur kemi debatuar për vazhdimin e gjendjes emergjente për energjinë elektrike, kemi dhënë argumentet tona pse jemi kundër kësaj. Dhe nuk do ta votojmë, nuk do të votojmë fare. Do të duhej ju me i pas numrat me vazhdu seancën, qysh e keni thirr nga ora 11:00”-ka thënë ai.

Ndërsa, shefi i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se çështja e votimit është në diskrecionit të deputetëve.

“Mendoj që është qasje e gabuar më kërkuar paraprakisht prej grupeve parlamentare me deklarua për një cështje. Unë mendoj që është në diskrecionin e plotë të deputetëve të deklarohen në kohën e votimit”-ka thënë Gashi.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se mendon që nuk duhet të ketë ndikim puna e komisioneve në punimet e seancës.

“Mendoj që nuk duhet të shtyhet seanca duhet të ecim tutje në diskutim. Nuk duhet të ketë ndikim puna e komisioneve”-ka thënë ai.