Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Shtyhet seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit për zgjedhjen e kryesuesit

Sot duke filluar nga ora 10:00 ishte paraparë që të mbahej seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku do të zgjidhej kryesuesi. Mirëpo ajo është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi Komuna e Gjilanit.

“Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e paraparë për sot, shtyhet për një ditë tjetër, e cila do të vendoset ndërkohë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Nga Komuna e Gjilanit kanë thënë se seanca është shtyrë për shkak se ende nuk ka ndonjë marrëveshje politike mes Vetëvendosjes dhe partive opozitare.

“Deri të premten pritet të mbahet seanca”, thuhet në një përgjigje të Komunës së Gjilanit për KALLXO.com.

Pas fitores në balotazhin e mbajtur më 14 nëntor, Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje është betuar si kryetar më 9 dhjetor 2021.

Përndryshe në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet më së largu 30 ditë pas betimit të anëtarëve të asamblesë, në të kundërtën asambleja shkon në zgjedhje të reja.

Në bazë të rezultateve nga 35 ulëse sa i ka Kuvendi Komunal i Gjilanit, LDK-ja do të ketë 14 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 10 ulëse, PDK-ja ka 5 ulëse, AAK-ja ka 2 ulëse ndërsa me nga një ulëse do të përfaqësohen AKR, LS, Vatra dhe PDTK-ja.

Mbetet të shihet nëse Kryesuesi i Kuvendit Komunal do të zgjidhet deri me 9 janar apo do të shkohet përsëri në zgjedhje për Kuvend Komunal të Gjilanit.