Shtyhet për një javë konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj në FSK, shkak telashet teknike

Ministria e Mbrojtjes njofton se konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës është shtyrë për një javë, deri më datën 23 janar.

Sipas njoftimit, kjo shtyrje është për shkak se janë shfaqur pengesa teknike që kanë vonuar procesin e aplikimit.

“Ju njoftojmë se konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj shtyhet për një javë, ngase për shkak të qasjes së njëkohshme të shumë aplikantëve në platformën tonë të aplikimit, janë shfaqur pengesa teknike që po vonojnë procesin e aplikimit. Pra, konkursi për rekrutim në ushtrinë e Republikës së Kosovës do të jetë i hapur deri me datën 23 janar”- thuhet në njoftim.

Ministria e Mbrojtjes thotë se aplikantët që kanë hasur në vështirësi në marrjen e letërnjoftimit për shkak të mungesës së materialeve, u pranohet aplikacioni edhe me letërnjoftim të skaduar.

“Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të interesuarit ndërmjet moshës 18-25 vjeç, dhe po ashtu për aplikantët të cilët kanë hasur vështirësi në marrjen e letërnjoftimit për shkak të mungesës së materialeve, ju njoftojmë se do të pranojmë aplikacionin edhe me letërnjoftim të skaduar apo me dëshminë se janë në proces të marrjes së letërnjoftimit”- bën të ditur ministria.

Ministria e Mbrojtjes më 15 dhjetor ka shpallur konkurs për rekrutimin e ushtareve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga mosha 18-25 vjeç.

Aplikimi ishte paraparë të zgjasë deri më 15 janar 2023.

Formularin e aplikimit mund ta gjeni në këtë link.