Shtyhet për javën tjetër shqyrtimi i Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim e ka zhvendosur nga rendi i ditës shqyrtimin e Projektligjit për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Shqyrtimi i këtij projektligji është shtyrë për mbledhjen e radhës të komisionit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, njëherit kryetare e këtij komisioni, tha se për këtë projektligj e kanë konsultuar ekspertin gjerman, i cili sipas Pacollit ka punuar në disa ligje tjera në rajon.

Ajo ka thënë se komentet e ekspertit janë pozitive.

“Ai ka thënë se projektligji është në përputhje me direktivat e BE-së”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka lexuar disa nga komentet e ekspertit.

“Kur vjen të çështja e trajtimit te ajrit ky ligj nuk e rregullon vetëm ndotjen e ajrit por e mbron edhe mjedisin nga ndotjet që shkaktohen. Ky ligj është bazë themelore për të mbrojtur ajrin dhe duhen edhe disa udhëzime administrative që e plotësojnë ligjin”, ka lexuar Pacolli.

Ajo tutje tha se eksperti nuk ka dhënë ndonjë vërejtje konkrete dhe si koment ka lënë që të vazhdohet tutje.

Megjithatë ky projektligj është shtyrë për të pritur komente deri në fund të javës pasi komentet e ekspertit gjerman sipas Pacollit nuk i janë përcjellë deputetëve.

“E tërheqim edhe një herë këtë projektligj nga rendi i ditës deri sa t’i marrin komentet e ekspertit të gjithë deputetët. Deri në fund të javës ju presim për komente sepse nuk mund të presim në pafundësi”, tha Pacolli.