Shtyhet për 2 javë fillimi i vitit shkollor

Fillimi i vitit shkollor është vendosur të shtyhet për dy javë. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Nagavci përmes një postimi në Facebok  ka thënë se i ka informuar mësimdhënësit lidhur me rekomandimet e fundit të IKSHPK-së për shtyrjen e mësimit, duke thënë se të njëjtat do të respektohen për shkak të shëndetit.

“Me shpresë se pas dy javësh gjendja do të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç kishim planifikuar, pra me prezencë fizike, mësimdhënësve ju dëshiroj shumë suksese gjatë këtij trajnimi dhe në vitin e ri shkollor”, ka shkruar ajo.

Sipas Nagavcit, dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për arsimin në Kosovë, dhe se duhet shumë punë për t’i kompensuar humbjet.

“Dy vitet e fundit kanë qenë jo të lehta për arsimin. Të gjitha raportet në botë flasin se humbjet e shkaktuara në procesin arsimor si pasojë e pandemisë kanë qenë të mëdha e edhe viti i ri shkollor do të jetë me shumë sfida, andaj dhe duhet shumë punë, bashkëpunim e angazhim i të gjithëve për t’i kompensuar humbjet e përmirësuar rezultatet”, ka theksuar ajo.

Viti i ri shkollor ishte paraparë të filloj më 13 shtator, pasi u shty dhe nuk filloi më 1 shtator.