Komisioni për siguri, Foto: KALLXO.com

Shtyhet mbledhja e Komisionit për Siguri, deputetët solidarizohen me të arrestuarit nga Gjykata Speciale

Mbledhja e cila ka qenë e paraparë të mbahet gjatë ditës së sotme nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes është shtyrë në një datë tjetër.

Kjo shtyrje e kësaj mbledhjeje është bërë nën arsyetimin për solidarizim ndaj arrestimeve të fundit të cilat u kryen nga ana e Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzave për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin si dhe Jakup Krasniqit.

“Nuk ka pasur disponim prej anëtarëve të komisionit për shkak të arrestimeve që kanë ndodhur dhe në shenjë solidarizimi për anëtarin tonë të komisionit Rexhep Selimi e kemi shtyrë mbledhjen”, tha për KALLXO.com nënkryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit ishte paraparë që të diskutohet dhe shqyrtohet raporti i Ministrisë së Mbrojtjes, rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe të shqyrtohen të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e Sigurisë.

Javën e kaluar pas konfirmimit të aktakuzave për krime lufte, ish- Presidenti Hashim Thaçi, ish kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deputeti Rexhep Selimi si dhe ish- zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi janë dërguar në Hagë ku gjatë ditës së djeshme, Thaçi  e Krasniqi janë paraqitur në seancat e para në të cilat seanca u lexuan një nga një të gjitha pikat e aktakuzës ndaj të lartpërmendurve.