Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, Foto: KALLXO.com

Shtyhet mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka marrë vendim që mbledhja të shtyhet pas seances së Kuvendit të Kosovës, ose në një ditë tjetër gjatë javës.

Anëtari i Komisionit nga AAK-ja Pal Lekaj, tha se duhet ta vazhdojnë Komisionin me rendin e ditës duke përmendur se pikë për shqyrtim është edhe Projektligji për Trustin.

Për këtë çështje foli edhe kryetari i Komisionit nga LVV-ja, Armend Muja.

“Kthehemi pas seances ose nëse zgjat seanca më tepër duhet ta shqyrtojmë që të takohemi një mbledhje tjetër gjatë javës”- tha kryetari i Komisionit, Armend Muja.

Në rend dite në këtë komision ishte shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2022, shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.08/L-178 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-101 për Fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.04/L-115 me Ligjin nr.04/L-168 dhe Ligjin nr.05/L-116, Votimi i Raportit Vjetor Financiar i Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2021.

Projektligji për Trustin, përmes të cilit kërkohet që qytetarëve t’u mundësohet të tërheqin 30 për qind të kursimeve pensionale, ka dështuar të votohet më 23 qershor, si iniciativë e PDK-së.

Më vonë, tërheqja nga Trusti u kërkua me anë të peticioneve të qytetarëve që u dorëzuan në Kuvend. Kuvendi Projektligjin e kishte dërguar për mendim në qeveri. Kjo e fundin e ka kthyer Projektligjin pa mendim, për shqyrtim nga ana e legjislativit.