Arkiv - Seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha (16.09.2022), Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi pas kërkesës së ish-ministres Hoxha për përjashtimin e prokurorit nga rasti

Është shtyrë seanca e sotme gjyqësore ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha e cila po përballet me akuzat  për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me disa të tjerë në rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Ky gjykim me vendim të kryetarit të trupit gjykues Arben  Hoti, u vendos që të shtyhet pas paraqitjes së kërkesës së ish-ministres Hoxha, për përjashtim të prokurorit të rastit, Dren Paca. Seanca e ardhshme do të mbahet më 21 tetor.

Në fillim të seancës, Hoxha kërkoi fjalën për të njoftuar gjykatën me një situatë faktike, ku bashkëshorti i saj pretendohet se e njeh babanë e prokurorit Paca.

Më herët, prokurori Paca ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues Arben Hotit, me pretendimet se i njëjti ka lidhje shoqërore me bashkëshortin e ish-ministres.

Kërkesën e prokurorit e ka refuzuar nën kryetari i gjykatës së Prishtinës, Dren Rogova.

E të njëjtat pretendime, Dhurata Hoxha i ka mohuar për KALLXO.com e të njëjtën gjë e ka bërë edhe sot në seancë, madje ajo shtoi se bashkëshorti i saj e njeh babanë e prokurorit Paca.

“Bashkëshorti më ka informuar se nuk  e njeh gjyqtarin, mirëpo e njeh babanë e prokurorit Dren Paca ku i njëjti ka qenë profesor në kolegjin që bashkëshorti im është pronar” – tha Dhurata Hoxha.

Ajo në seancë po ashtu shprehi se një ndër arsyet se dëshiron përjashtimin e prokurorit është bindja që tanimë çështja ka kaluar në personale.

“Prokurori ka akuzuar rrejshëm bashkëshortin tim për lidhje shoqërore me gjyqtarin dhe unë tashmë jam bindur që kjo çështje ka kaluar në personale” – shtoi ish-ministrja.

Për përjashtimin e tij nga rasti prokurori nuk pati asgjë të shtojë.

Kurse kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti njoftoi se trupi gjykues ka ndryshuar dhe tani përbëhet nga gjyqtari Lutfi Shala dhe Mentor Krasniqi, e seancën e radhës e caktoi për datën 21 tetor.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.