Shtyhet gjykimi ndaj Sinan Vllasaliut i akuzuar për shmangie nga tatimi

Seanca e cila ishte paraparë të mbahej sot ndaj Sinan Vllasaliut i akuzuar për shmangie nga tatimi nuk është mbajtur.

Aryset për të cilat nuk është mbajtur seanca ka qenë kërkesa e mbrojtësit Florent Latifaj, që seanca e sotme të shtyhet, pasi që ky i fundit është i angazhuar në një gjykim tjetër.

Një gjë të tillë për Kallxo.com e ka konfirmuar vetë mbrojtësi i Vllasaliut, Latifaj.

“Arsyeja pse është shtyer, është se unë jam i angazhuar në seancë në departamentin special”- tha Latifaj.

Bëhet fjalë për rastin e “Gylenistëve”, ku Latifaj është mbrojtës i njërit nga të akuzuarit në atë rast.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër këngëtarit me akuzat se i njëjti i është shmangur tatimit.

Kundër kësaj akuze, mbrojtja e këngëtarit, avokati Florent Latifaj kishte kërkuar hedhjen  e aktakuzës dhe i kishte kundërshtuar provat, mirëpo KALLXO.com ka mësuar se Gjykata ka refuzuar këtë kërkesë.

“Me rastin e vendosjes sipas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit për hedhjen e Aktakuzës dhe kundërshtim të provave, në vështrim të dispozitës 254, paragrafi 6. të KPPK-së, me datë 16.02.2023 gjyqtarja e çështjes ka marr Aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit S. V. për hedhjen e Aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë” – tha zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Pas konfirmimit të aktakuzës, së shpejti pritet të fillojë gjykimi kundër Vllasaliut për akuza që rëndojnë ndaj tij.