Haxhi Shala
Shtyhet fillimi i gjykimit ndaj Haxhi Shalës dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale
Gjykimi ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, dhe të tjerëve i cili pritej të fillonte më 14.11.2024 është shtyrë. Arsyeja pse është vendos të shtyhet është për shkak të kërkesës së palëve.
Ish-deputeti Haxhi Shala, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijari nga prokuroria po akuzohen për veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe frikësim të dëshmitarëve lidhur me procesin e gjykimeve në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Pas kërkesës së palëve në këtë çështje gjyqësore, seancat e planifikuara më 14 dhe 15 nëntor në gjykimin e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës nuk do të mbahen”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
“Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale. Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari ishin arrestuar më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe ishin transferuar në qendrat e paraburgimit në Gjykatë Speciale.
Tashmë i akuzuari Haxhi Shala ishte arrestuar më 11 dhjetor 2023. Që të tre nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat që ju vihen në barrë.
“Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër z. Januzi dhe z. Bahtijari me çështjen kundër z. Shala. Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve gjyqësore. Pas ndryshimit të njërës prej akuzave për z. Januzi dhe z. Bahtijari më 8 korrik 2024, paraqitja e mëtejshme e z. Januzi dhe z. Bahtijari u mbajt më 12 korrik 2024, gjatë së cilës të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re ndaj tyre në aktakuzën e përbashkët të ndryshuar. Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi dosjen e vet paraprake, ndërsa versionet më të fundit të dosjeve paraprake të tri ekipeve të Mbrojtjes u dorëzuan më 2 shtator 2024. Versionet e redaktuara publike të dosjeve paraprake të ZPS-së, Shalës dhe Bahtijarit janë të disponueshme”- thuhet tutje në njoftimin që ka bërë Gjykata Speciale.
Për çka akuzohet Haxhi Shala?
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar aktakuzën (e redaktuar), e ngritur ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-deputetit Haxhi Shala, i cili ishte dërguar në Gjykatën Speciale.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Të gjitha krimet, sipas aktakuzës, kanë të bëjnë me procedurat zyrtare të Gjykatës Speciale, duke përfshirë edhe hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Aty thuhet se është një person (Dëshmitari 1) që ka dhënë ose ka të ngjarë t’u japë informacione task-forcës speciale hetimore, ZPS-së dhe/ose çdo paneli të Gjykatës Speciale në lidhje me ndonjë krim ose shkelje që bie nën juridiksionin e kësaj gjykate.
Rreth pikës – Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, thuhet se Haxhi Shala me kanosje të rëndë dhe me veprim të përbashkët të një grupi personash në të cilin ka marrë pjesë ka tentuar të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
Sipas aktakuzës, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzit dhe Bahtijarit me Dëshmitarin 1, dhe me udhëzim të Haxhi Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.
Prokuroria pretendon se kjo sjellje e Shalës demonstron qëllimin e tij për të minuar dhe penguar një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
Me këto veprime, Shala akuzohet po ashtu se ka devijuar burimet dhe kohën e Prokurorisë për të adresuar pasojat aktuale dhe të mundshme për dëshmitarin dhe familjen e tij në lidhje me procedurat zyrtare të Gjykatës.