Shtyhet deklarimi për media i Borrellit, takimi trepalësh po vazhdon ende

Është duke vazhduar ende takimi i përbashkët midis liderëve të Kosovës, Serbisë dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.

Në një prononcim për KALLXO.com, asistentja për media për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Luca Dilda, ka thënë se deklarimi i Borellit është shtyrë rreth orës 13:30.

“Po ju shkruaj për t’ju informuar se takimi i nivelit të lartë është ende në vazhdim. Ndaj deklarata për media do të shtyhet rreth orës 13:30. Informacione të mëtejshme do të vijojnë”, ka konfirmuar Dilda për KALLXO.com.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Fillimisht ka pasur takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve. Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 09:30, ndërkaq në 10:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiqin.

Pas takimeve dypalëshe, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Tëitter.

Pas këtij takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.