Objekti i ri i Spitalit të Ferizajt, 03.04.2024.
Shtyhet afati për riprojektimin e objektit të ri të Spitalit të Ferizajt
Afati për riprojektimin e objektit të ri të Spitalit të Ferizajt është shtyrë edhe për 60 ditë të tjera.
Kontrata për riprojektimin e plotë të spitalit ishte nënshkruar më 14.03.2024, ndërsa afati për dorëzim ishte korriku 2024.
Ministria e Shëndetësisë thotë se shtyrja u bë për shkak të nevojës për të adresuar defekte të tjera që janë identifikuar gjatë kësaj faze.
“Kjo shtyrje nuk është pasojë e neglizhencës së asnjë pale, por u bë me kërkesë të profesionistëve të angazhuar në menaxhimin e fazës së riprojektimit” – thuhet në njoftimin e Minitrisë.
Ky institucion thotë se ka planifikuar të nisë tenderimin për ndërtimin e spitalit, pas përfundimit të projektit zbatues që pritet të ndodhë në tetor.
Kjo Ministri e udhëhequr nga Arben Vitia thotë se është plotësisht e përkushtuar për të përfunduar ndërtimin e spitalit që ka filluar në vitin 2018.
Objekti, sipas MSh-së është planifikuar të përfundojë në fund të vitit 2026, plot 10 vjet prej nisjes së këtij projekti.
Kontrata për ndërtimin e spitalit ishte nënshkruar në vitin 2018, në vlerë prej 10 milionë e 235 mijë eurove. Ndërsa punimet janë ndërprerë në vitin 2021.
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë edhe versionin e saj të kronologjisë së ngjarjes duke kritikuar planifikimin e mëhershëm për këtë investim.
Sipas MSh-së, plani për këtë ndërtim ishte me shumë mangësi, defekte dhe i padetajuar, që “i ngjante më shumë një projekti ideor se sa projekti zbatues”.
“Më gjithë këto mangësi punimet nisën në vitin 2018. Ministria e Shëndetësisë u përball me probleme të tjera, një prej tyre ishte shfaqja e ujërave në bodrumin e objektit. Shkak i këtij problemi të ri ishte ndryshimi pa asnjë studim i lokacionit nga Komuna e Ferizajt” – ka thënë Ministria.
Më tej thuhet se ky problem është ende dhe pritet të jetë sfidë edhe për të ardhmen.
“Gjithashtu, kompania e kontraktuar për ndërtimin, “Arbëria Com”, dështoi në përmbushjen e detyrimeve të saj sipas kontratës, duke kërkuar pagesa shtesë dhe duke shkaktuar stërzgjatje të procesit” – thuhet në komunikatë.
Ministria thotë se me këto probleme e me dyshimin për mashtrim nga ana e Operatorit Ekonomik, në fund të vitit 2021, kontrata është ndërprerë dhe lënda është dërguar në organet përkatëse për hetim të mëtejshëm.
Në vitin 2022, Ministria ka bashkëpunuar me Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës për të bërë një vlerësim të detajuar të strukturës ekzistuese. Vlerësimi zbuloi shumë defekte në punimet e kryera, që MSh thotë se përfshijnë devijime në strukturë, probleme me pllakën e meskatit dhe çështje të tjera si lagështia dhe mungesa e hidroizolimit.
“Në vitin 2023, Ministria kontraktoi një kompani për hartimin e detyrës projektuese për Spitalin e Ferizajt, dhe më 14 mars 2024, u kontraktua riprojektimi i plotë i spitalit. Ky hap u ndërmor për të siguruar që çdo investim i ardhshëm të jetë i sigurt dhe i qëndrueshëm” – thotë Ministria.
Objekti i tanishëm i Spitalit të Ferizajt me 3 mijë e 500 metra katrorë është i pamjaftueshëm që stafi të kryejë punën e tij, sipas ish-udhëheqësit të tij, Selajdin Sallahu.
Ai pati “çarë hallin” për këtë cështje me Bordin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, gjatë një vizite të Bordit në tetor 2023.