Ilustrim

Shtrirja e kabllove sekondare në pistën e Aeroportit të Prishtinës u bë në mënyrë joadekuate

Demë Elezaj, inxhinier i ndriçimit aeronautik, thotë se gjatë punimeve për zgjerim të pistës së Aeroportit të Prishtinës është vërejtur shtrirje joadekuate e kabllove sekondare.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nëse njëra dëmtohet, bijnë të gjitha dritat.

“Tek zgjatja e pistës dhe ngritja e kategorisë CAT-3 ka qenë edhe ndriçimi i pistës, kjo është kategori e operimeve që avionët të mund të ngriten dhe aterrojnë edhe në dukshmëri shumë të ulët. Kjo është bërë që mos të kthehen avionët në kohën kur ka mjegull”, ka thënë Elezaj.

“Gjatë punimeve ata nuk i kanë shfrytëzu pusetat e reja por ekzistueset, që është jashtë standardit, në një tub janë më shumë se 10 kabllo. Përpos kësaj, nuk është ruajtur integriteti i dritave prapa, sepse nëse këtu dëmtohet një kabllo, bijnë të gjitha dritat”, ka thënë ai.

“Standardi thotë se duhet secili gyp të ketë 25% hapësirë për mirëmbajtje, në rast se ka dëmtime në të ardhmen”, shton tutje Elezaj.

Sipas tij, këto shkelje u evidentuan edhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil

“Inspektorët e Autoritetit të Aviacionit kanë konstatuar se në një pusetë janë vendosur numër shumë i madh i kabllove dhe transformatorëve dhe kishte puseta ku kapaku mbyllej me vështirësi”, shtoi ai.