"Shtrirja e dorës së pushtetit në transmetuesin publik": OJQ dhe aktivistë kërkojnë dorëheqjen e Bordit të RTK-së

Disa organizata dhe aktivistë në vend kanë kërkuar dorëheqjen e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës pas situatës së krijuar nga publikimi i një lajmi në RTK, të marrë nga media boshnjake, “Slobodna Bosna”.

Në një komunikatë të përbashkët, organizatat e aktivistët kanë deklaruar se bordi në mbledhjen e mbajtur më 23.07.2024 do të duhej të suspendonte “të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate” në vend se të mjaftohej me një shprehje të keqardhjes.

“Është tejet shqetësues fakti që artikullin dezinformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si ‘kontravers’ dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë”- thuhet në komunikatë.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues të kësaj komunikate kanë konsideruar që bordi i RTK-së “duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre”.

“Njëkohësisht i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalë luftën e ashpër kundër mediave dhe gazetarëve që ka rezultuar me rënien e Kosovës 19 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij”- vazhdon komunikata.

Bordi i RTK-së më 23.07.2024 deklaroi ka shprehur keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, “ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato”.

Sipas komunikatës, u.d. drejtoresha e përgjithshme e RTK-së ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të marrë masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së.

AGK i quan të papranueshme deklaratat e deputetit të Vetëvendosjes