Betonimi i kalldërmit në lagjen Nënkala,Fotografi: Elmedina Dorambari në Facebook

Shtrimi i rrugës me kubëza të betonta 'mollë sherri' mes komunës së Prizrenit dhe QRTK-së

Rruga e shtruar më kubëza betoni në lagjen Nënkala e cila gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit ka nxitur debate në mes komunës së Prizrenit dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit (QRTK) thotë se nuk ka pëlqyer projekt për vendosjen e kubëzave të betonta, ndërsa komuna e Prizrenit po thotë se QRTK e ka pëlqyer këtë projekt.

KALLXO.com para disa ditësh kishte raportuar në lidhje me këtë rast QRTK kishte thënë se pas shqyrtimit të projektit për rehabilitimin e kësaj rruge të dërguar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor  kishte japur pëlqimin për vendosjen e kalldrëmit por jo të kubëzave të betonit.

Ndërsa, KALLXO.com e ka kontaktuar komunën e Prizrenit dhe atë kanë thënë se kanë marrë pëlqimin nga QRTK-ja dhe është japur leja ndërtimore.

“Projekti është hartuar nga “Studio Hapësira” shpk, për të cilin projekt është marrë pëlqimi nga QRTK dhe Leja Ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor”, u tha në përgjigjet e komunës.

Ata thanë se projekti është hartuar me kërkesë të banorëve duke përdorur materiale të nevojshme për rehabilitimin e rrugëve.

Për rrugën e shtruar me beton komuna e Prizrenit tha se është shtruar me kubëza të betonta për shkak se është rrugë e cila  përdoret për furnizime me materiale ndërtimore dhe punime me makineri të rënda gjatë ndërtimit të objekteve apo renovimit të tyre në këtë pjesë të lagjes.

“Projekti është hartuar duke pasur parasysh edhe kërkesat e banorëve të asaj lagjeje dhe janë përdorur këto tri materiale për mbi strukturë: me gurë kalldrëm të lëmuar është bërë rehabilitimi i dy rrugëve ekzistuese e cila ka qenë pjesa më e madhe sipas këtij projekti, pjesa te shkallët me gurë të përpunuar me forma të rregullta gjeometrike dhe një rrugë me gjatësi 50m është punuar me kubëza betoni e cila gjithashtu ka qenë e paraparë në kuadër të projektit”, thuhet përgjigjet e komunës së Prizrenit.

Sipas Samir Hoxhës, drejtor i QRTK-së në bazë të projektit “Rehabilitimi i rrugës në Nënkala” ishte paparaparë  të shtrohet me kalldrëm, të vendosen disa ulëse, shporta për mbeturina dhe trupa ndriçues.

Kryetari i Prizrenit, Myaher Haskuka mbrëmë në një postim në Facebook kishte thënë se projekti ka marrë pëlqimin nga QRTK-ja.

Hoxha me një  postimi në Facebook i kishte  reaguar Haskukës duke i thënë se nuk i ka lexuar shkresat dhe vendimet para se të reagonte publikisht për lajmet rreth shtrimit të rrugës së Nënkalasë me kubëza betoni.

“Korrespodencat midis Komunës dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren e sqarojnë̈ situatën. Fatkeqësisht, në vend se kryetari të kërkonte falje për shkeljet që ka bërë institucioni i udhëhequr nga ai, përmes një fletërrufeje të sontshme, ka thënë shumë të pavërteta”, ka shkruar Hoxha.