Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtresa finale e asfaltit, 'Muharrem Fejza' mbyllet për qarkullim

Nesër dhe pasnesër në datat 20 dhe 21 maj, rruga “Muharrem Fejza” dhe rrugët lidhëse të saj në Prishtinë, do të mbyllen për qarkullim, për shkak të asfaltimit të shtresës finale të rrugës.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qarkullimi në këtë rrugë të premten do të mbyllet prej orës 06:00 të mëngjesit, deri në orën 18:00 të pasditës. Ndërsa të shtunën nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 18:00.

“Ju njoftojmë se,  më datë 20 dhe 21 maj, segmenti i rrugës “Muharrem Fejza” duke përfshirë edhe të gjitha rrugët lidhëse prej rrethrrotullimit të rrugës “B” në drejtim të lagjes Mati përkatësisht deri te rruga “Ibrahim Oruçi” (rrugë lidhëse me rrugën “Muharrem Fejza”) do të mbyllen për qarkullim, për shkak të punimeve që do të ndodhin në këtë rrugë”, thuhet në njoftim të Komunës.

Po ashtu, Komuna ka kërkuar nga banorët e kësaj lagje, që automjetet mos t’i parkojnë në parkingun paralel me shiritat qarkullues të rrugës dhe as në trotuare, pasi sipas tyre, pengojnë realizimin e punimeve dhe autmomjetet mund të dëmtohen gjatë spërkatjes me emulsion.

Me 9 prill të këtij viti, rruga shumë e përfolur ‘Muharrem Fejza’ kishte filluar të asfaltohet, pas shumë zvarritjeve që ishin shkaktuar për projektin e kësaj rruge.

Kryetari Përparim Rama kishte premtuar që brenda 40 ditëve do të përfundojë kjo rrugë.

Rama tregon për sa ditë do të përfundohet rruga ‘Muharrem Fejza’