Ilustrim - Parku i Biznesit në Drenas. Foto: Kallxo.com

Shtrenjtohet prodhimtaria në Kosovë

Në tre muajt prill-qershor të këtij viti, indeksimi i çmimeve të prodhimi shënoi një rritje të lehtë për 1 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të 2018-ës. Kontribut më të madh në këtë rritje shënoi veprimtaria e prodhimeve minerale jo metalike dhe e prodhimeve të ushqimit.

“Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë u ngrit për 0.2% ndërmjet tre mujorit të parë  dhe tre mujorit të dytë 2019. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: nxjerrja e xehes së metalit (10.8%); prodhimet minerale jometalike (3.0%); prodhimi i metaleve (1.2%); prodhimet e gomës dhe të plastikës (1.1%); përpunimi i prodhimeve ushqimore (0.7%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (0.2%); dhe prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (0.1%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te: prodhimet kimike -2.1 përqind; prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gëshetuara/thurëse -1.9 përqind; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar -1.7 përqind; prodhimi i pajisjeve elektrike -1.5 përqind; prodhimi i mobilieve -0.7 përqind; grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë -0.3 përqind; prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj -0.2 përqind; dhe prodhimi i pijeve -0.1 përqind.

Në tremujorin e dytë, prill-qershor, shtrenjtimi i çmimeve të prodhimit u rrit për 1 përqind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtët vitit të kaluar, duke u ndikuar më shumë nga rritja e çmimeve në prodhime minerale jo metalike dhe prodhimeve ushqimore.

“Ndërkaq, krahasuar TM2 2019 me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2018), çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 1.1%. Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: prodhimet minerale jometalike (10.5%); përpunimi i prodhimeve ushqimore (5.6%); prodhimi i pijeve (4.3%); prodhimi i mobilieve (3.5%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (2.7%); prodhimet e gomës dhe të plastikës (0.9%); dhe prodhimi i letrës dhe prodhimet prej saj (0.8%)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Më tej ASK thotë se, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit -6.8 përqind; prodhimi i metaleve -5.8 përqind; prodhimi i pajisjeve elektrike -5.8 përqind; prodhimi i produkteve kimike -5.3 përqind; prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve -2.6 përqind; prodhimi i drurit dhe i produkteve të tij dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gëshetuara – thurëse -2.1 përqind; prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës  -1.2 përqind; grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (-1.2%); xeheroret dhe guroret e tjera -0.8 përqind; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar -0.7 përqind; dhe prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmërimorkiove -0.1 përqind.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) këto të dhëna i bëri të ditura përmes publikimit të indeks-raportit “Indeksin e Çmimeve të Prodhimit  (IÇP) për tremujorin e dytë (TM2) 2019”.