Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtrenjtohet prodhimi në Kosovë

Të dhënat e fundit të indeksit për çmimet e prodhimit në Kosovë, tregojnë se në tre muajt tetor-dhjetor, pati shtrenjtim të çmimeve mesatarisht për 0.3 për qind në raport me  tremujorin paraprak.

Rryma, gazi e avulli, u shtrenjtuan më shumë . Në anën tjetër, mesatarisht për 0.2 për qind ishte rritja e çmimeve në raport me periudhën e njëjtë të 2019-ës, me më shumë ndikim nga prodhimi i mjeteve motorike të transportit dhe të tjera.

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë u ngrit për 0.3 për qind në tremujorin e katërt krahasuar me tremujorin e tretë.

“Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (1.7%); prodhimi i pajisjeve elektrike (1.4%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (0.8%); prodhimi i metaleve (0.6%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (0.6%); prodhimi i produkteve minerale jo-metalike (0.3%); dhe prodhimi i pijeve (0.1%). “, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave.

Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit  -9.1 për qind, prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej saj -4.4 për qind; prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse  -0.9 për qind, prodhimi produkteve kimike -0.9 për qind; prodhimi i mobilieve -0.5 për qind, xeheroret dhe guroret e tjera -0.4 për qind; përpunimi i produkteve ushqimore -0.3 për qind dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve -0.3 për qind.

Në anën tjetër në tre muajt tetor-dhjetor të 2020-ës në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 0.2%.

Sipas veprimtarive ekonomike, ngritje më të mëdha të çmimeve pati tek prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove 4.4 për qind; prodhimi i lëkurës dhe i produkteve prej saj 3.9 për qind; prodhimi i produkteve kimike 2.9 për qind; prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve 2.5 për qind; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar 2.1 për qind; prodhimi i pajisjeve elektrike 2.0 për qind; prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse  1.1 për qind; nxjerrja e xehes së metalit 0.4 për qind; dhe xeheroret dhe guroret e tjera 0.2 për qind.

Rënia e çmimeve në prodhimin e mobileve, prodhimeve  minerale e jo metalike  dhe i makinerisë dhe pajisjeve kontribuuan më shumë në neutralizimin  ngritjen e çmimeve

Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: prodhimi i mobilieve (-5.0%); prodhimi i produkteve minerale jo-metalike (-4.1%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (-4.0%); prodhimi i metaleve (-2.9%); prodhimi i pijeve (-2.4%); prodhimi i letrës dhe i produkteve prej letrës (-1.5%); prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (-1.3%); dhe përpunimi i produkteve ushqimore (-0.4%).”, bën të ditur komunikata.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës i bëri të ditura me publikimin e indeksit  “Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e katërt (TM4) 2020”.