Shtrenjtimi i rrymës për qytetarë dhe biznese, Rafuna: Do të ketë ulje të standardit jetësor në Kosovë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka njoftuar se nga muaji prill i këtij viti mund të rritet çmimi i energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët deri në 15%.
Ndërsa, sipas këtij institucioni rregullues, nga 01.06.2025, bizneset me numër më të madh se 50 punëtorë dhe me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të kalojnë nga tregu i energjisë me çmime të rregulluara në treg të hapur.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka reaguar pas paralajmërimeve të ZRrE-së. Ai ka thënë që rritja e çmimit të rrymës është inflacion për qytetarët e vendit.
“Do të jetë një ulje e standardi jetësor të qytetarëve të Kosovës, një inflacion që ne e kemi luftuar që mos me pas … Fatkeqësisht kjo do ta pres qytetarin e Kosovës, do ta pres edhe biznesin. Do të ketë tkurrje të investimeve. Këto janë pasojat më të mëdha” – tha Rafuna në KallxoPërnime, më 14.03.2025.
“Ne si Odë Ekonomike pas takimit që do ta kemi ditën e hënë, do t’i shqyrtojmë të gjithë mekanizmat sepse këtu bëhet fjalë për interesin publik, që me kërku që vendimi mos me u implementu me 1 qershor, por me i dhënë kohë biznesit. Ndërsa për qytetarë janë institucionet tjera që merren me interesin e tyre. I lutëm zotit që deri në muajin maj ta kemi Qeverinë e Kuvendin dhe të kemi institucione ku kemi me kë të bisedojmë, për të mirën e të gjithëve” – deklaroi i pari i OEK.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka propozuar rritje të çmimit të energjisë elektrike përreth 15%. Shtrenjtimi i rrymës pritet të ndodh nga muaji prill i këtij viti.
Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Sipas tij, rritja e çmimit nuk mund të shmanget për dy arsye.
“Rritja është e pashmangshme. Për shkak të kostove që kanë ndodhë, përafërsisht 15% pritet me u rritë”– ka deklaruar Pepaj.
“Janë dy shkaktarë kryesor që e kanë pru këtë kosto: është mungesa e gjenerimit që ka qenë në vend edhe në burime të ripërtëritshme që ka pasur në vend, [pra] ka pasur mungesë të gjenerimit si dhe janë çmimet e importit. Këto e kanë shkaktuar rritjen e çmimit”– tha ai.