Ndertim ne Prishtine foto REL AFP

Shtrenjtimi i materialit, kontribuuesi më i madh në rritjen e kostos së ndërtimit

Të dhënat e fundit të Agjancisw sw Statistikave tw Kosovws (ASK) tregojnë se indeksi i tërësishëm i kostos së ndërtimit në Kosovë (IKN), pati rritje për 1.1 për qind në tre muajt e fundit, tetor-dhjetor të vitit që shkoi, në raport me tremujorin paraprak njashtu edhe me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Rritje më të madhe kishin: materialet 2.2 për qind; energjia 1.6 për qind; makineritë 0.6 për qind etj.

Ulja e çmimeve në transport dhe paga kontribuuan në neutralizimin e çmimeve aty ku pati rritje.

“Ngritja e çmimeve u neutralizua, kryesisht me uljen e çmimeve te: transporti (- 8.8%); pagat (-0.6%); dhe kostot e tjera (-0.1%)”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e katërt të 2020-ës me periudhën e njëjtë të vitit 2019, indeksi i kostos së ndërtimit pati një rritje prej 1.1 për qind.

Edhe në këtë periudhë krahasuese, materialet patën rritje çmimesh.

“Ngritja e indeksit, kryesisht u vërejt te kategoritë: materialet (2.3%); energjia (1.9%); dhe makineritë (1.9%)“, bën të ditur komunikata.

Ngritja e çmimeve u neutralizua, kryesisht me uljen e çmimeve te: transporti -7.1 për qind, pagat -2.5 për qind; dhe kostot e tjera -0.7 për qind.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës i bëri të ditura me publikimin e raportit-indeksit, “Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt (TM4) 2020”.