Shtrenjtimi i energjisë elektrike, PSD do të organizojë protestë të shtunën

Partia Socialdemokrate (PSD) do të organizojë protestë të shtunën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Kjo parti për këtë protestë ka njoftuar përmes rrjetit social Facebook.

“Qeveria është rreshtuar me monopolin privat. KEDS-it po i bën zgjidhje, kurse qytetarëve disiplinë e shtrenjtim. Si zëdhënës i KEDS-it, kryeministri po pyet “ku ti marrim paratë për të paguar importin e rrymës”? Por nuk po bën pyetje nga pozicioni i qytetarëve: “me çka të ngrohemi ne, nëse jo me rrymë? Ku t’i marrim paratë për ta paguar rritjen e çmimit?””, thuhet në postimin e PSD-së.

PSD thotë se Qeveria ka marrë anë dhe është rreshtuar me bizneset e mëdha private.

“Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie”, thotë ky subjekt politik.

Të shtunën, më 29 janar, PSD ka thirrur protestë, e cila do të fillojë nga ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Këto vendime të gabuara kanë opozitë në këtë vend. Dhe kanë opozitë të madhe. Prandaj ftojmë gjithë opozitën që të bashkohemi në protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”, thuhet në fund të njoftimit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që të dyfishohet çmimi për kilovatët që tejkalojnë 600 kilovatët e shpenzuar.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë pra nuk do të ketë shtrenjtim.