Shtrenjtimi i bukës “ushqeu” rritjen e inflacionit në 2019-tën

Në vitin 2019, në Kosovë, norma mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2019 ishte 2.7 përqind duke shënuar ngritje më të lartë nga viti 2012. Në vitin që shkoi rritje të çmimeve pati në bukë e drithëra, mish e qumësht ndërsa pemët dhe shërbimet e transportit shënuan rënie.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2019 ishte më i lartë në një mesatare prej 2.7 për qind, krahasuar me vitin 2018.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 11.1 përqind, me një ndikim prej 1.1 për qind në IHÇK; mish 3.8 përqind dhe perime 11.1 përqind, që secili nëngrup ndikoi me 0.4 për qind në IHÇK;

Pastaj qumësht, djathë dhe vezë 2.8 përqind, me një ndikim prej 0.2 për qind në IHÇK; kafe, çaj dhe kakao 6.2 përqind, pije alkoolike 1.9 përqind, duhan 3.2 përqind, mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 2.8 përqind, blerje e automjeteve 1.4 përqind, dhe përdorim i pajisjeve për transportin personal 1.5 përqind, që secili nëngrup ndikoi me 0.1 për qind në IHÇK;

Sheqer dhe ëmbëlsira 1.6 përqind, mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit 2.3 përqind, enë, takëme dhe mjete të ndryshme të kuzhinës 1.4 përqind, pushime të organizuara 3.2 përqind, shërbime hoteliere 0.9 përqind, shërbime të akomodimit 5.7 përqind, gjëra personale 3.4 përqind, dhe sigurime 3.3 përqind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK.

Pemët dhe shërbimet e transportit patën rënie të çmimeve.

“Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-4.6%); dhe shërbime për transport (-3.7%) – (rënie e çmimeve të biletave të aeroplanit), që secili nëngrup ndikoi me (-0.1) për qind në IHÇK.”, thuhet në komunikatë.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin vjetor të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për vitin 2019.