Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtohen kontrollet e policisë në trafikun rrugor në Prizren

Me qëllim që të krijohet rend dhe rregull në trafik, Policia e Kosovës thotë se ka shtuar kontrollet në trafikun rrugor në Prizren.

Policia përmes një njoftimi thekson se gjatë periudhës kohore 20 deri më 26 mars 2023 janë shqiptuar 2,084 fletëparaqitje.

“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor Prizren dhe njësitë tjera policore gjatë kryerjes së detyrave të përditshme dhe në funksion të zbatimit të Urdhërit Operativ “Siguria në trafikun rrugor’, në rrugët lokale dhe ato Nacionale kanë bërë mbulimin e terenit me prezencë të shtuar policore”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, sipas policisë, policia ka mbajtur pika të shumta kontrolli ku edhe janë marr masa ndaj atyre që bënë veprime në kundërshtim me ligjin.

“Me qëllim të krijimit të sigurisë me mbarëvajtjen e trafikut është bërë qasje pro aktive në parandalimin e aksidenteve në komunikacion. Me qëllim që të krijohet rend dhe rregull në trafik policia ka patrulluar në zonën e përgjegjësisë dhe kanë mbajt pika të shumta të kontrollit. Janë ndërmarrë masa të nevojshme policore ndaj të gjithë atyre, veprimet e të cilëve bien ndesh me Ligjin për siguri në trafikun rrugor”-  thuhet tutje në njoftim.

“Vetëm gjatë periudhës kohore 20.03.2023 e deri më datë 26.03.2023 nga njësitë policore patrulluese dhe ato të njësisë rajonale të trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Prizren janë shqiptuar 2,084 fletëparaqitje për kundërvajtje në komunikacion”.