Gjykata e Gjilanit

Shtimi i rasteve me COVID-19, Gjykata e Gjilanit redukton stafin

Gjykata e Gjilanit, pas situatës së fundit të krijuar me pandeminë COVID-19, ka marrë vendim qe të reduktohet numri i Gjyqtarëve dhe stafit administrativ.

Numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur ndjeshëm ditëve të fundit prandaj kjo e ka shtyrë gjykatën në Gjilan që të njoftojë se do të trajtohen vetëm rastet  të cilat kanë të bëjnë me paraburgim dhe ato me urdhra mbrojtës.

“Duke ju përmbajtur rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Planit Emergjent për Menaxhim Krizash të miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është marrë vendim që në Gjykatë të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, vetëm rastet me paraburgime”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Tutje thuhet se në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil, do të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, siç janë urdhërmbrojtjet dhe masat e përkohshme –masat siguruese.

“Zyrtarët e gjykatës do të vazhdojnë të punojnë rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj të punohet në mënyrë elektronike”, përfundon njoftimi i Gjykates në Gjilan.