Shtime, ujësjellësi njofton qytetarët se nuk e di sa do të zgjas mungesa e ujit

Që katër ditë qytetarët e Shtimes po ballafaqohen me mungesë të ujit. Ujësjellësi “KRU Prishtina” përmes një njoftimi ka thënë se situata e krijuar nuk e di sesa do të zgjas.

Ujësjellësi ka treguar edhe arsyet e mungesës së ujit.

“Arsyet e kësaj situate janë: mungesa e reshjeve atmosferike të shiut, ngritja e vazhdueshme e  temperaturave në vendin tonë, rritja ekstreme e kërkesës për ujë të pijshëm ( përfshirë keqpërdorimin e ujit në forma të ndryshme) si dhe një ndër faktorët kyç të këtij çrregullimi të furnizimit me ujë janë reduktimet e energjisë elektrike që janë shkaktuar si pasojë e zjarreve të mëdha në vendin tonë”, thuhet në njoftim.

“Funksionimi i pompave të ujit është i pamundur pa energji elektrike. Po vazhdojmë të punojmë me kapacitete maksimale të prodhimit në komunën tuaj, por si duket nga rritja ekstreme e kërkesës për ujë nuk janë të mjaftueshme tash për tash, pasi që në këtë rritje të kërkesës hyjnë edhe marrja e ujit nga zjarrëfikësit për shuarjen e zjarreve. Se sa do zgjasë kjo situatë, nuk varet më nga ne”, thuhet në njoftim.