Shtime, polici arrestohet për marrje ryshfeti

Masat e fshehta të Inspektoriatit Policor të Kosovës në hetimet e një polici, e ka vënë në pranga zyrtarin e dyshuar për marrje ryshfeti.

IPK njoftoi se  kishte pranuar dy ditë më herët një informacion lidhur me aktivitetin e dyshimtë për këtë zyrtar policor të Stacionit Policor në Shtime.

Hetuesit e IPK-së kanë siguruar edhe urdhëresën nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për realizimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit.

Arrestimi ka ndodhur sot ndërsa për të dyshuarin, me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Sipas IPK-së, zyrtari policor dyshohet për mos ekzekutimin e urdhëresave të ndryshme të organeve të drejtësisë duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme.