
Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Shtime, nuk ka rrymë, nuk nis procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë
Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime nuk ka nisur të enjten, më 13.02.2025, siç ishte paralajmëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Shkak për mosnisjen e numërimit të votave ishte mungesa e energjisë elektrike.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zyrtarja e zgjedhjeve në KKZ të Shtimes, Florie Mulaj.
“S’ka filluar fare procesi i numërimit, vetëm kanë ardhur anëtarët për të filluar, por është ndalur rryma dhe procesi i numërimit nuk ka filluar. Për shkak të ndalesës së madhe, 4-5 orë, procesi i numërimit është lënë për nesër”- ka thënë zyrtarja Mulaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur gjatë të enjtes, 13.02.2025, se ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit në disa komuna të Kosovës, duke përfshirë edhe Shtimen.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 09.02.2025.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12, nga KQZ, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës. Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.