Shtime, gjobë ndaj shoferit që drejtoi veturën ndonëse e kishte të ndaluar me masë mbrojtëse

Policia e Kosovës më 02.09.2024 në Shtime ka ndaluar një shofer të moshës 23-vjeçare dhe ka shqiptuar gjobë ndaj tij pasi që ka drejtuar veturën nën masën mbrojtëse “ndalimi i drejtimit të automjetit” që iu ka shqiptuar më herët.

“Policët e stacionit në Shtime me datën 02.09.2024, rreth orës 10:50 në rrugën “Isa Boletini” në Shtime kanë ndaluar shoferin A.L (M/K) i moshës 23 vjeçar, i cili ka drejtuar veturën nën masën mbrojtëse ku me ligjin e ri parashihet gjobë, vazhdim i masës mbrojtëse, pikë negative dhe konfiskim i automjetit” – thuhet në raportin e Policisë.

Sipas raportit të Policisë Rajonale të Ferizajt, ndaj shoferit i është shqiptuar gjobë kundërvajtëse prej 500 euro, 5 pikë negative, vazhdim i masës mbrojtëse edhe për 6 muaj dhe i është konfiskuar përkohësisht automjeti.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon që qytetarët të mos drejtojnë automjetet nën masën mbrojtëse të shqiptuar më herët.

“Apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor, të mos drejtojnë automjetet nën masën mbrojtëse të shqiptuar më herët” – u tha në raport të Policisë.

Policia ka apeluar te qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.