Ilustrim Foto: KALLXO.com

Shtime, dyshohet se e rrahu gruan, arrestohet 29-vjeçari

Një 29-vjeçar është arrestuar nga Policia e Koosovës nën dyshimin për dhunë kundër bashkëshortës.

Siç njofton Policia, 27-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe më pas ka pranuar edhe tretmanin mjekësor.

Lidhur me ngjarjen, Policia e stacionit në Shtime kishte pranuar një informacion sot rreth orës 4:15 të mëngjesit, ndërsa rasti, sipas njoftimit policor kishte ndodhur në rrugën “Tahir Sinani” mbrëmë rreth orës 21:00.

“Policët hetues të Njësisë së Dhunës në Familje, menjëherë i kanë marrë veprimet e nevojshme, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin A.G, i cili një ditë më parë rreth orës 21:00 kishte shkaktuar dhunë në familje, duke e lënduar bashkëshorten e tij, e cila kishte pranuar tretman mjekësor” – ka treguar Policia.

Tutje është njoftuar se për këtë rast janë njoftuar edhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave.

Njoftimi i Policisë ka bërë të ditur se i dyshuari e ka shoqëruar në stacionin e Policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia ka treguar se rasti është cilësuar si – dhunë në familje dhe lëndim i lehtë trupor.