Shtim i dukshëm i rasteve me COVID-19

“Sa raste dolën sot? A ka të vdekur“? janë dy nga pyetjet më të shpeshta që dëgjohen çdo ditë për më shumë se një vit e gjysmë, që nga koha kur u paraqiten rastet e para të me virusin COVID-19 në Kosovë.

Me ulje e ngritje të rasteve pozitive me coronavuris e vdekjet e regjistruara po ballafaqohet edhe Kosova, sikur i gjithë planeti tokë.

Por edhe pas një ‘lufte’ në mes jetës e vdekjes, COVID-19 është ende prezent, e numri i personave të infektuar me këtë virus, ka filluar të rritet ditëve të fundit. Shifrat dyshifrore, po ringjallin ankthin. Fat i mirë, rastet e vdekjeve me këtë virus, janë më të rralla.

Deri kur do të infektohen qytetarët me virusin SARS-CoV-2? Është kjo një pyetje, përgjigjen e të cilës askush nuk është në gjendje ta thotë.

19 persona u regjistruan të infektuar gjatë 24 orëve, 28 u shënuan dje, ndërsa më 20 korrik 2021 Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 15 persona hynë në listën e qytetarëve të infektuar me këtë virus.

Alarmin për mundësinë e një valë të re me COVID-19, e ka ngritur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

David Nabarro, i dërguari special i OBSh- së për COVID-19 në një nga mediat e huaja ka theksuar se nëse shtetet nuk ndërtojnë një infrastrukturë të nevojshme për parandalim të pandemisë COVID-19, bota do të ketë një valë të tretë të infeksionit.

Rastet pozitive që ndryshuan botën

Pas më shumë se një vit lufte me virusin e padukshëm e të rrezikshëm, bota arriti të sjellë në treg vaksinën si armë mbrojtëse për njerëzimin, kundër vrasësit COVID-19 që mori, e po merr, jetën e mijëra qytetarëve.

Vaksinimi, është forma e vetme e ngadalësimit të përhapjes së tij dhe ruajtjes së jetës së njerëzimit.

Sa i përket vaksinimit në Kosovë, do të mbahet mend si vendi i fundit i cili filloi vaksinimin kundër COVID-19, në Evropë e në rajon. Përderisa shtetet e rajonit e të Ballkanit ishin të përgatitur e patën filluar vaksinimi, Kosova ende ishte në pritje të donacioneve për vaksina.

Në mbrëmjen e 28 marsit arritën 28 mijë vaksina nga programi “COVAX”. Një ditë pas, filloi vaksinimi.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, ende qëndron rreziku që vendi, por edhe bota në përgjithësi, të ballafaqohet me valën e re të COVID-19. Tashmë disa vende, po shënojnë rikthim të në shifrat alarmane të të prekurve me virusin. Formati i ashtuquajtur “Delta”, po karakterizohet me veti më të mëdha shpërndarëse. ‘Rehatia’ e numrave të ulët të të infektuarve, u prish ditëve të fundit në Kosovë, e edhe të hospitalizuarit po shtohen.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se e vetmja mënyrë për të parandaluar valën e tretë të coronavirusit, është vaksinimi.

“Nëse nuk vaksinohemi si duhet, atëherë vala e tretë është e pashmangshme edhe për shkak të fluksit të madh dhe lëvizjes së lirë te qytetarëve të Kosovës”, tha ai në një prononcim për KALLXO.com.

Syla nënvizon qytetarët duhet të sensibilizohen për vaksinim, duke shtuar se MSh duhet t’i rishikoj masat çdo dy javë dhe nuk duhet të qenë shumë tolerantë.

Të njëjtën kërkesë për vaksinim e ka edhe infektologu, njëherësh U.D i Infektives në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

“Në qoftë se popullata i përgjigjet thirrjes për vaksinim, dhe tash jem në fazën e vaksinimit masiv, kjo valë e re duhet të jetë me një intensitet më të ulët”, u shpreh Vishaj.

Ai potencon se qytetarëve u mbetet të vaksinohen, pasi MSh është duke bërë furnizimin me vaksina kundër COVID-19.

Varianti “Delta” në Kosovë

Kosova deri më tani ka regjistruar zyrtarisht dy raste me variantin “Delta”, permutacionin më agresiv në përhapje i pësuar nga virusi COVID-19.

Institucionet shëndetësore në vend nuk kanë kapacitet të bëjnë verifikimin e variantit “Delta” dhe për këtë arsye analizat e pacientëve të dyshimtë janë të detyruar t’i dërgojnë në qendrat referuese ndërkombëtare, si në Berlin në Gjermani.

Infektologu, Vishaj, sqaron se “Delta” nuk dallohet në bazë të shenjave dhe simptomave, por në bazë të analizave të gjenotipimit.

“Nuk dallohet në bazë të shenjave dhe simptomave klinike, por dallohet në bazë të analizave të gjenotipimit që bëhen. Në IKShPK bëhet diagnostifikimi i COVID-19, por tani variantet e reja, tipizimi gjenetik bëhet nëpër qendrat referente në Evropë. Kosova i dërgon në Berlin”, tregoi ai.

Arsyeja pse Kosova duhet t’i dërgoj analizat në vendet tjera të Evropës, Vishaj thotë se është mungesa e përvojës klinike. Mirëpo ai tërheqë vërejtjen:

“Ky variant përhapet më shpejtë dhe rrjedhimisht e rritë numrin e pacientëve”.

Për rreth katër muaj, në Kosovë të vaksinuar me dy dozat e nevojshme të vaksinës kundër SARS-CoV-2 janë 102 mijë e 210 qytetarë, ndërsa 343 mijë e 333 qytetarë janë të vaksinuar me vetëm një dozë.

Aktualisht në Kosovë janë në dispozicion dy tipe të vaksinës që po përdorën kundër COVID-19, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.