![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2025/01/Besnik-Tahiri-AAK-3-720x405.jpg)
“Shteti i së Drejtës”: Projeksionet e AAK-së për reformim të sistemit të drejtësisë
Kandidatët për deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, më 11.01.2025, kanë prezantuar në emisionin “Debat Përnime” një pjesë të programit për reformat që parashohin t’i bëjnë në sistemin e drejtësisë nëse vijnë në pushtet.
Besnik Tahihri, deputet në disa legjislatura të Kuvendit e që synon ta marrë edhe një mandat në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt 2025, ka folur për ndryshimet që duhet bërë në sistemin e drejtësisë. Ai ka thënë se në Kapitullin e parë të programit të AAK-së janë përfshirë këto reforma të cilat i kanë quajtur “Shteti i së Drejtës”.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor, sipas tij, janë dy shtyllat kryesore të sundimit të ligjit në Kosovë dhe si të tilla “duhet të reformohen dhe të forcohen”.
“Kapitulli i parë i programit tonë është ‘Shteti i së Drejtës’. E kemi quajtur kështu sepse ne mendojmë që elementi i parë i llogaridhënies në sundimin e ligjit, forcimit dhe reformimit të dy shtyllave kryesore të sistemit të drejtësisë, që është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor janë jashtëzakonisht të rëndësishme” – ka deklaruar Tahiri.
Për ngecjet në sistemin e drejtësisë, një pjesë të fajit, ai ia ka hedhur Qeverisë Kurti 2, me arsyetimin se kjo Qeveri ka tentuar “ta kapë shtetin” me institucionet e pavarura, e në veçanti Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Në qoftë se kthehemi prapa dhe e shohim se çka kemi bërë ne në Kuvend, shohim se ne kemi fol për pengimin e kësaj Qeverie, të tendencës të kësaj Qeverie me kap shtetin me institucionet e pavarura, e në veçanti Këshillit Prokurorial të Kosovës. Dhe, për këtë arsye kemi insistuar që të shkojnë në Komisionin e Venecias disa ligje dhe për këto ligje ne tani kemi disa rekomandime të cilat do të jenë pjesë e programit tonë”- ka thënë ai.
Derisa ka folur për ato që ai ka quajtur dështime të qeverisë aktuale në reformimin e sistemit të drejtësisë, ka përmendur edhe reformat që do të behën duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Te Këshilli Prokurorial- qëllimi i parë ka qenë me rritë numrin, pastaj qëllimi me ligjin e dytë ka qenë me zvogëlu numrin. Krejt kjo me të vetmin qëllim, jo me reformu, se ne jemi për me reformu, por për me hjek dikë që nuk i ka pëlqyer e me vendos dikë që i ka pëlqyer. Do i marrim rekomandimit e Këshillit të Venecias dhe ato do të përkthehen në reforma” – ka dekaruar Tahiri.
Ndërsa sa i përket Këshillit Gjyqësor, Tahiri ka shpjeguar se AAK do të merret me dy çështje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e performancës së gjykatave në Kosovë dhe me integritetin e tyre.
“Ne matjen e reformës në sistemin e gjyqësor e shohim me dy elemente kryesore: e para me ngritjen e performancës së gjykatave në Kosovë; dhe e dyta lidhet drejtpërdrejtë me integritetin. Nuk ka evidencë të madhe që ka një lidhje diku mafioze, kriminale të sistemit të drejtsisë, por më shumë ka me mungesë integriteti, me performancë të dobët, dhe në disa momente me politizim dhe partizim.”- ka thënë Tahiri.
Ndërsa, kandidati tjetër i AAK-së, Arton Demhasaj, ka folur për ndryshimet që duhet bërë në pavarësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Për këtë ai tha se do të punohet që të ofrohet një bazë ligjore që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial të kenë pavarësi financiare.
“Ne kemi me punu që me ia jep një bazë ligjore, me ia jep një pavarësi financiare sistemit të drejtësisë, jo Qeveria dhe Kuvendi me votu sa me pas buxhet sistemi i drejtësisë, po duke i dëgjuar kërkesat që i ka Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, që me pas ata një pavarësi financiare e që pastaj mos me qenë të varur prej Qeverisë e as prej Kuvendit”- ka deklaruar Demhasaj.
Ndërsa synim tjetër i AAK-së karshi sistemit të drejtësisë është që politika mos të përfshihet në drejtësi.
“Sa më pak që politika të merret me prokurori dhe gjykata. Ky është synimi jonë, që as ne Qeveri dhe as në Kuvend me u marr me sistemin drejtësisë dhe me emra të përveçëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve”- ka theksuar Demhasaj
Për këtë pjesë ka folur edhe kandidatja për deputete Emrije Bashota.
Ajo ka deklaruar se do të investohet edhe në shtimin e kuadrove brenda sistemit të drejtësisë.
“Përveç financave që do të shtohen, do të investohet në shtimin e kuadrove brenda sistemit të drejtësisë, në mënyrë që në këtë formë të vihet një drejtësi më e shpejt në vend, e jo një drejtësi qysh ndodhë deri më tani. Ka nevojë për kuadro të reja në mënyrë që proceset gjyqësore të jenë më të shpejta dhe drejtësia te qytetari të vjen në kohën e duhur”- ka thënë Bashota.
Për më shumë klikoni në link:
Zotimet e AAK-së në “Debat Përnime” për çkapje të sistemit të drejtësisë- VIDEO