Ilustrim Foto: Steven Lewis

Shteti i paaftë në kontrollimin e moteleve

Brenda një dite, më 21 qershor të këtij viti, 11-vjeçarja dyshohet se u dhunua në katër motele të ndryshme.

Dosja e Prokurorisë, e siguruar nga KALLXO.com, zbulon akuzat me të cilat po ngarkohen gjashtë persona. Të gjithë të dyshuarit sipas dosjes së prokurorisë, në të njëjtën ditë kanë shfrytëzuar seksualisht të miturën, e kanë trafikuar dhe dhunuar.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me njërin prej moteleve që është përshkruar në kërkesën për caktimin e paraburgimit për gjatë të arrestuarit, por, me të kuptuar temën, ata kanë mbyllur telefonin.

Sipas kryetarit të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, motelet nuk kanë të drejtë të pranojnë klientë pa e evidentuar dhe pa kërkuar letërnjoftimin.

Sipas tij, kjo çështje është e rregulluar edhe me ligj ndërsa kompetencë për inspektimin e moteleve është Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Është e rregulluar me ligj, nuk guxon me pranu në motel pa e evidentu pa e kërkuar letërnjoftimin, nuk ka të drejtë hiç me pranu. Këto kështu bëhen ‘në të zezën’ që themi ne. Inspektorati i Tregut e ka për detyrë me shku me i kontrullu, sepse këta e mbulojnë këtë sektor këtë fushë” – tha Sogojeva.

Në anën tjetër, zv.kryeinspektorja e Inspektoratit të Tregut, Lebibe Haliti, tha se në muajit e fundit kjo trupë inspektuese nuk ka kryer inspektime në motele. Sipas saj, deri më tani kjo fushë nuk ka qenë e rregulluar me ligj siç duhet.

“Deri tash, legjislacioni ka qenë shumë i mangët sa i përket kompetencave të Inspektoratit, personalisht kam qenë shumë e interesuar për këtë fushë sepse kemi pas informacione për keqpërdorim të të miturve nëpër motele” – tha ajo për KALLXO.com.

Në qershor të këtij viti, ka hyrë në fuqi Ligji për Turizmin, i cili e rregullon edhe çështjen e inspektimeve.

“Kohën e fundit, nuk kemi bë ndonjë inspektim edhe pse ne aty e shohim vetëm në aspektin e veprimtarisë, si biznes, a i plotëson kushtet, çmimoren, por jo diçka tjetër. Deri më tani nuk ka qenë e rregulluar me ligj, tash është Ligji për Turizëm, jemi munduar që aty me kriju një bazë ligjore, por tash aktet nënligjore e specifikojnë konkretisht” – tha zv.kryeinspektorja e Inspektoratit të Tregut, Lebibe Haliti.

“Pra, është e rregulluar kjo fushë më Ligjin për Turizmin, por zbatimi i tij bëhet me aktet nënligjore, çdo veprimtari çfarë duhet të përmbajë, pra edhe këtë çështjen e kërkimit të dokumenteve të identifikimit” – deklaroi ajo.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.

Dosja: Tmerret që i kaloi 11-vjeçarja në qershor, gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale për një ditë  

Detaje të reja: 11-vjeçarja dyshohet se u dhunua e u shfrytëzua seksualisht nga ora 8 e mëngjesit deri në mbrëmje