Manastiri i Deçanit. Foto: Wikimedia.org

Shtetet e QUINT-it i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë vendimet gjyqësore në lidhje me Manastirin e Deçanit

Shtetet e QUINT-it në Kosovë, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 në lidhje me ligjshmërinë e tokës së Manastirit të Deçanit.

“Mbesim të shqetësuar që përkundër nxitjes së vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vetë gjyqësori i Kosovës, institucionet kosovare ende nuk e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016”, thuhet në njoftim.

Moszbatimi i këtij vendimi, sipas njoftimit të shteteve të QUINT-it, minon demokracinë.

“Moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur. Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik”, thuhet tutje në deklaratën e përbashkët të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, thuhet në fund të njoftimit.

Zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka kërkuar ta bëj edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ambasadori Szunyog bën thirrje të zbatohet vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

www.kallxo.com