Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Shtetet e Quint-it dalin me deklaratë për mandatin e Gjykatës Speciale

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të zhvlerësuar misionin e Gjykatës Speciale.

“Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), si dhe që të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Quintit, e kanë përshëndetur edhe veprimin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, e cila i ka nisur letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.

“Në këtë vazhdë, e përgëzojmë Kryetaren e Kuvendit të Kosovës që e ka përcjellë propozimin e Presidentit për ndryshim te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, si dhe Zyrën e Prokurorit Special të Republikës së Kosovës për respektimin e autoritetit të ZPDhS-së për të hetuar zbulimin e mundshëm të paligjshëm të dokumenteve dhe informatave të besueshme, njëkohësisht duke ofruar ndihmën e saj sipas nevojës”, thuhet në deklaratën e Quintit.

Më 25 gusht, presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Thaçi ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në qershor ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Aktakuza ende nuk është konfirmuar dhe as hedhur poshtë nga organet kompetente gjyqësore.