Shtetësja angleze kapet me rreth 100 mijë funta në Aeroportin 'Adem Jashari'

Oficerët doganor të Kosovës kanë arritur të parandalojnë futjen ilegale të rreth 100,000.00 mijë funtave angleze (rreth 118 mijë euro) në pikë kalimin kufitar në të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

Dogana e Kosovës përmes një njoftimi ka thënë, se dje në orët e pasdite një udhëtare angleze ka hyrë në “kanalin e gjelbër” ku edhe është selektuar nga oficerët doganor për kontroll pasi imazhet ne skaner kanë shfaqur parregullsi potenciale.

Sipas njoftimit, kontrolla fizike e udhëtares ka gjetur mjete monetare te fshehura në thellësi të çantës të cilat kanë qenë të vakumuara.

“Pasi janë gjetur udhëtarja është kontrolluar detalisht si dhe është vendosur nën kontroll. Pas numërimit te mjeteve është gjetur kjo sasi: 10 GBP X 200 PCE = 2000 GBP; 20 GBP X 4104 PCE = 82080 GBP; 50 GBP X 140 PCE = 7000 GBP; Totali 91080 GBP”, ka bërë të ditur Dogana e Kosovës, përmes Facebook-ut.

Sipas tyre, mjetet monetare janë ndaluar si dhe rasti ka vazhduar për hetime të mëtejme, përmes sektorit të hetimeve në Doganën e Kosovës.

Dogana ju ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve që udhëtojnë se kanë obligim ligjor të bëjnë deklarimin e mjeteve monetare të cilat bartin me vete në vlerë mbi 10.000 mijë euro.