Foto: REL

Shtetasi shqiptar ekstradohet nga Spanja në Shqipëri, akuzohet për vrasje në tentativë

Policia spanjolle ka arritur të kap dhe ekstradojë për në Shqipëri 41-vjeçarin M.K., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

M.K., siç ka njoftuar Policia Shqiptare në gusht të 2017 në Durrës bashkë me vëllain e tij kishin qëlluar me armë zjarri drejt një qytetari.

“Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 22.09.2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”- njofton Policia e Shtetit.

Policia Shqiptare ka theksuar se disa ditë më parë edhe vëllau i të arrestuarit ishte ekstraduar për të njëjtat vepra.