Foto: KALLXO.com Ilustrim

Shtetasi serb i arrestuar në Kosovë dyshohet se i veshur si polic kishte grabitur një banke në Zvicër

Një person, shtetas i Serbisë i cili konsiderohej me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohej për një grabitje të armatosur në Zvicër, është arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Kosovës.

Aleksandar Raduloviq është shtetasi serb i cili pasi kishte kryer grabitjen e armatosur në Zvicër, ishte larguar dhe kishte ardhur në Kosovë, ndonëse ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane.

KALLXO.com mëson se Raduloviq, më 3 shtator të vitit të kaluar i armatosur së bashku me një person tjetër, të veshur me rroba policie të njësive intervenuese, kishin hyrë brenda bankës dhe kishin kërkuar para.

Pasi dyshohej se kishin kryer krimin, të njëjtit ishin larguar nga skena e krimit me një veturë ngjyrë të kaltër e regjistruar në emër të policisë së Zvicrës.

Katër ditë më vonë, siç mëson KALLXO.com, një veturë ishte gjetur qindra metra nga skena e krimit në një garazh.

Pas ekzaminimeve forenzike, rezultoi se Raduloviq ishte personi që kreu krimin në bankën e Zvicrës dhe i njëjti po kërkohej nga autoritetet e rëndit dhe ligjit.

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës njoftoi për arrestimin e Raduloviqit duke mos bërë të ditur shumë detaje në lidhje me kërkimin e tij.

“Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, më 26.04.2021 ka arrestuar një person të dyshuar  (mashkull/serb/viti i lindjes 1977 ) i cili është në kërkim nga autoritetet ndërkombëtare dhe i cili dyshohet për kryerje te veprës penale ‘grabitje të armatosur në një shtet tjetër’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

I njëjti është dërguar në ndalim për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit, ndërsa sipas policisë, do të vazhdohet me procedurat për ekstradimin e tij.