Ilustrim

Shtetasi i Shqipërisë i arrestuar në Gjakovë ishte edhe me parë i arrestuar për narkotikë

Gojart Jahelezi, i lindur në Tropojë, i cili u arrestua në Kosovë datën e 28 shtatorit rezulton se edhe me parë ka qenë i arrestuar në Shqipëri, po ashtu për narkotikë.

Jahelezi tani me vendqëndrim në Gjakovë, është shtetas i Republikës së Shqipërisë.

KALLXO.com merr vesh se Jahelezi rezulton i dënuar ne mungesë në Shqipëri, po ashtu për veprat penale kundër narkotikëve.

Gojart Jahelezi u arrestua në Kosovë në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria e Pejës, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer edhe vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e tij ne Gjakovë janë gjetur dhe sekuestruar edhe rreth gjysmë kilogrami substance e dyshuar e llojit kokainë.

Jahelezit i  janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë në peshë prej 421 gramë, pajisje për vakum, një peshore elektronike, rroba dhe gjëra tjera.

Jahelezi u arrestua bashkë me 6 persona të tjerë, më datën 28 shtator 2022.

“Me dyshimin e bazuar se të pandehurit Gojart Jahelezi, E. M., Z. M., E. J., F.D., F.G. dhe A.J., duke vepruar si bashkëkryerës kishin për të kryer vepër penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”- thuhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit të siguruar nga KALLXO.com.

Prokuroria e Pejës e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka bërë kërkesën që të kërkohet e kaluara kriminale nga Shteti i Shqipërisë e cila do e sqaronte qartë se a është duke u kërkuar atje.

Gjyjata e Pejës i ka dërguar në paraburgim prej një muaji 7 të arrestuarit.

https://z-upload.facebook.com/kallxo/posts/5500501683352601