Komuna e Shtërpcës FOTO-KALLXO.com

Shtërpca, nga mungesa e ujit te potenciali i pashfrytëzuar për turizëm

Me gjithë Lepencin që përshkon edhe Komunën e Shtërpcës, banorët atje kanë vështirësi me ujë të pijshëm.

Punimet në ndërtimin e hidrocentraleve e kanë zënë në gypa ujin e pastër nga bjeshka dhe me këtë është krijuar problem i madh për banorët e Shtërpcës, Popocit, Bitisë së Poshtme dhe të Epërme, Berecit dhe Gotovushës.

Në komunën multietnike, banorët shqiptarë dhe serbë janë bërë bashkë shpesh për të protestuar kundër operimit të hidrocentraleve në këtë zonë.

Banorët e kësaj zone përballen edhe me probleme tjera që  përfshijnë problemet me kanalizim, infrastrukturë e mbeturina. Megjithatë, qeverisja lokale vazhdon të mos jetë shumë transparente dhe e gatshme të përballet me kërkesat e qytetarëve.

Jovica Stalletoviq nga Bitia e Poshtme thotë se uji është problemi më i madh për banorët e këtij fshati multietnik, ku jetojnë 40 familje shqiptare dhe 90 serbe.

“Përskaj ujit tonë ne nuk kemi ujë, e blejmë për të pas ujë për pije. Kemi ujë nga ujësjellësi i qytetit, por ky ujë nuk është në rregull bakteriologjikisht, prandaj e shfrytëzojmë vetëm për përdorim teknik”, thotë Stalletoviq.

Ai shton se në të njëjtën kohë vitin e kaluar banorët e Bitisë së Poshtme ishin pa ujë për tre muaj.

“Në atë kohë, punëtorët po gërmonin për hidrocentral dhe më e keqja nga e gjithë kjo është se bunarët po na shteren për shkak të vendosjes së gypave. Do të mbetemi krejtësisht pa ujë, jemi në rrezik që të mos kemi asnjë pikë ujë. Është e kotë që jetojmë buzë lumit dhe buzë ujit kur nuk kemi ujë”, thotë ky serb nga Bitia e Poshtme.

Jovica Stalletoviq, Banor i Shtërpcës

Banorët e Bitisë së Poshtme, edhe serbët edhe shqiptarët, thonë se askush nga vetëqeverisja lokale nuk dëshironte t’i pranonte në takim dhe t’i dëgjonte në lidhje me këtë problem.

“Në komunë na thanë të shkojmë ta gjejmë një burim dhe se ata do të vijnë të na e sjellin ujin. Që nga ajo kohë deri më sot nuk ka asgjë”, thotë Jovica Stalletoviq. 

Muharrem Tahiri, gjithashtu nga Bitia e Poshtme, thotë se ndërtimi i hidrocentralit krejtësisht ua çrregulloi jetën në fshat. Ai deklaron se banorët që nga ajo kohë kanë pas probleme me ujin e pijshëm dhe se iu është shkatërruar kanalizimi.

Jovica Stalletoviq thotë se ishte një iniciativë për të ndërtuar kanalizimin, por që komuna vendosi vetëm një linjë të kanalizimit përgjatë lumit dhe se vetëm një numër i caktuar i ekonomive familjare që ishin afër kësaj linje u lidh në të, ndërsa banorët tjerë u privuan nga kjo.

Qytetarët e Shtërpcës shmangin të flasin publikisht për problemet në komunë

Edhe qytetarët e Shtërpcës vuajnë nga problemet me ujë, i vetmi që dëshiron të flasë hapur për këtë temë është Sreqko Arsiq.

“Problemi është uji që nuk kemi as sa duhet e as rregullisht. Edhe kur ka, është i turbulluar. Gjatë gërmimeve për hidrocentral për të vendosur gypat, kanë thyer ndonjë vijë dhe tani uji po përzihet dhe është i papërdorshëm. Laboratori nga Mitrovica tregoi se uji nuk është në rregull bakteriologjikisht”, thotë Arsiq.

Mbeturinat dhe humbja e potencialit për turizëm

Milloshtica, një lumë i shpejtë malor, rrjedh përmes Shtërpcës. Pamja e mbeturinave në shtratin e lumit është pamje e keqe për syrin, veçanërisht pasi ky është një mjedis tradicional turistik.

Shishe dhe qese plastike të hedhura në lumin që rrjedh përmes Shtërpcës

Një tjetër pasuri natyrore që e përshkon Shtërpcën është Parku Kombëtar “Sharri” në afërsi.

Nëse merret parasysh fakti se komuna e Shtërpcës gjendet në Bjeshkët e Sharrit dhe se në zonën e saj gjendet parku më i bukur kombëtar dhe shtegu më i famshëm për skijim, atëherë kjo do të duhej të ishte qeveria më e pasur lokale, arkat e së cilës do të mbusheshin nga turistët dhe prodhimi i produkteve të shëndetshme ekologjike, bimëve mjekësore, mjaltës, mjedrave dhe djathit të famshëm të Sharit. 

Megjithatë, banorët thonë se ambienti turistik nuk ka bërë shumë për pasurimin e komunës dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik te qytetarët.

Shtërpca ka një buxhet prej 4 milionë eurosh por gjysma e tij shkon në paga dhe mëditje, apo mbi 2 milionë e 100 mijë euro.

Me shumë pak të hyra nga taksat komunale buxheti për investime për Shtërpcën është rreth 1 milion euro dhe nuk arrin t’i adresojë problemet e ujit kanalizimit dhe pastërtisë në këtë komunë

Të dhënat tregojnë se Auditori gjeneral në vitin 2019 zbuloi disa parregullsi dhe dha 21 rekomandime.

Raporti i Auditorit konstaton se në këtë komunë nuk ka interesim të madh për të rregulluar të gjeturat e Auditorit pasi vetëm nëntë prej rekomandimeve ishin zbatuar, dy ishin në proces dhe dy nuk ishin zbatuar fare.

Vërejtjet kryesore të këtij institucioni mbikëqyrës ishin mbi pasqyrat financiare, të hyrat, investimet kapitale e pasuritë publike.

Peisazhi skaj rrugës për në Shtërpcë

Komuna e Shtërpcës është e vendosur në cepin e skajshëm të Kosovës në kufi me Maqedoninë Veriore. Sipërfaqja e komunës është rreth 248 km2. Mbulon territorin e gjashtëmbëdhjetë fshatrave të Zhupës së Siriniqit, e cila quhet kështu sepse banorët e kësaj pjese të Kosovës tradicionalisht merren me blegtori dhe prodhimin e djathit dhe produkteve të qumështit.

Zhupa e Siriniqit është e pasur me ujë. Rrjeti i dendur i lumenjve përbëhet nga Lepenci dhe degët e tij. Sipërfaqja e pellgut të Lepencit në Komunën e Shtërpcës është 241 km², ndërsa nga Jazhinca deri në Brod pranon 12 degë: lumin e Tisit, lumin e Çerenit, përroin e Sotokut, lumin e Thatë, Bllateshticën, lumin e Vërbicës, Murzhicën, Miloshticën, lumin e Sushicës, lumin e Viçës, përroin e Ropotit dhe lumin e Izhancës.

Kjo është një Komunë me shumicë serbe, ndërsa numri më i madh i familjeve shqiptare jeton në fshatrat Biti e Poshtme dhe e Ultë dhe Drajkoc.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).