Foto: Kallxo.com

VIDEO - Shtëpia larg shtëpisë, shqiptarët e strehuar në Kosovë presin kthimin në normalitet

 

Orët e para të mëngjesit më 26 nëntori një tërmet i shkallës 6.4 goditi Shqipërinë.

Ky tërmet shkaktoi 51 viktima në Durrës dhe Thumanë, e rreth 900 të lënduar dhe disa miliona euro dëme materiale.

Pa pasur kohë të merrnin shumë nga gjërat personale, familje shqiptare u nisën drejt Kosovës për t’u strehuar në lokacionet e shumta që kosovarët i rezervuan për ta.

Në Prishtinë, të prekurit nga tërmeti u pritën në shtëpi private e biznese. Restauranti ‘Villa Natyra” priti shtatë familje që po qëndrojnë atje nga 28 nëntori.

Selim Shabani, është qytetar i Durrësit me prejardhje nga Tirana dhe është pronar i një butiku.

A tregon momentin e goditjes së tërmetit.

“Kemi dalë të zbathur. As telefonat nuk i kemi marrë. Kam marrë guximin unë, që të marr një telefon të një banori, jam futë brenda shpejtë e shpejtë, rrufeshëm, kam marrë rroba, këpucë për me vesh dhe nejtëm tek makina përjashtë, tek çadrat”.

Foto: Kallxo.com

“Se ky tërmet që ra, ishte për 30 sekonda. Iku shtëpia dhe i zuri të gjithë poshtë. Ne pallatin e kemi 10 katë, ai pallati jonë ka shkuar kështu. Unë jam në katin e tretë, pallati jonë ka shku kështu. Prandaj them unë, këta ekspertët që do të vijnë me e pa, unë do t’ia shpjegojë bukur atë”

Shabani rrëfen për pritjen në Kosovë.

“Kushte më të mira nuk ka si të vijnë më, kaq shumë, sa që ne nuk kishim se si me i përballu. Kanë ardhë dhe na kanë pyetur për çdo gjë. Për ilaqe, për ushqimin, për veshmbathje, për çdo gjë. Jemi shumë të kënaqur. E falënderoj shumë pronarin e hotelit, pjesëtarët që i ka në punë këtu, janë shumë njerëz të mirë, jemi shumë të kënaqur”.

Foto: Kallxo.com

Ai thotë se zyrtarë të institucioneve e kanë thirrur për tu kthyer në Durrës dhe për të shikuar banesën e tij nëse është e banueshme apo jo.  Ai thotë do të kthehet në shtëpi.

“Neve shumë persona atje na kanë telefonuar sot dhe na thanë se duhet të vini, sepse do të vijnë ekspertë, për të parë shtëpinë, se a jetohet apo nuk jetohet. Sepse kemi biznesin tonë që bëjmë  atje, kemi punën kemi të gjitha”.

Ermira Baruti është një tjetër qytetare e Durrësit që është e zhvendosur me familjen e saj në Kosovë. Ajo rrëfen tragjedinë që nga momenti i tërmetit të parë kur ka goditur Shqipërinë.

“Në fakt ne tërmetin e dëgjuam edhe orë më përpara, në orën 11 të darkës, po ashtu edhe në 2 të natës. Po ka qenë më i lehtë, në orën 2 ka qenë çikë më i rëndë domethënë se tërmeti i parë. Menduam se ishte thjeshtë kalimtar, domethënë që nuk do të binte më. Nuk e morrëm aq seriozisht, tërmet, tërmet. Duke mendu edhe fëmijët e vegjël, na vinte keq me dalë natën. Menduam që duhet të rrijmë në shtëpi. Vajti ora katër pa qerek, ra sërish tërmet i fortë. Tërmeti neve na gjeti në shtëpi, të gjithë domethënë ishim në orar gjumi. U ngrejtëm direkt nga krevat, i morrëm kalamajtë në krah, vazhduam të vraponim me një vrap për me dalë jashtë, por nuk mundëm, sepse tërmeti nuk na la që ne të vraponim”.

Foto: Kallxo.com

Baurti thotë se kanë qëndruar në oborrin e shtëpisë deri sa ka përfunduar tërmeti, pasi tavani i shtëpisë ishte shembur. Sipas saj, kjo është hera e dytë që i është dëmtuar shtëpia nga tërmeti. Herën e parë nga ai i 21 shtatorit. Edhe pse autoritetet i kishin premtuar që do t’ia rregullonin shtëpinë, Baruti thotë se asnjëherë nuk ka marrë ndihmë për renovimin e shtëpisë.

“Ne prisnim komunën që na kishte marrë në dorë për rregullimin e shtëpisë. Prisnim fondin që të vinte. Sepse ne prisnim fondin që të vinte të na i rregullonte. Nuk e di, ndoshta ata mund ta kenë lënë pak pas dore për ne. Asnjë gjë nuk ishte bërë. Vetëm erdhën na panë, morrën emra dhe mbiemrat, foto të shtëpisë dhe na thanë ai fondi mund të vinte në dhjetor, që neve të na shpërndante për me rregullu shtëpinë. Shtëpia jonë domethënë është prishë, për ne ishte një tmerr, jo për ne më shumë por për fëmijët e vegjël”.

Baruti pret që të kthehet në qytetin ku jeton, por ka mbetur e befasuar me mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“Shumë mirë. Nuk mendonim se mund të ishte kaq, por të ishim ne në vend të këtyre, nuk besoj që do të bënim më shumë se këta. Çdo gjë në rregull. Ushqimet, e fjetura”.

Isuf Berisha është menaxher në ‘Villa Natyra’ në Vranidoll të Prishtinës.

Sipas Berishës, kanë qenë të gatshëm të strehojnë deri në 10 familje, për një periudhë kohore deri në 3-4 muaj.

Ai tregon se si ka rënë në kontakt me familjet që i kanë strehuar dhe tregon edhe për përkrahjen që ka marrë nga Kryqi i Kuq dhe institucionet e vendit.

“Maspari ka qenë Kryqi i Kuq, sigurisht që i kemi njoftu ne, masandej kanë qenë psikologët me vetdëshirë. Ajo çka më ka befasuar, është Drejtoria e Arsimit të Prishtinës, që kanë ardhë edhe ata shumë shpejtë. Janë interesuar sa fëmijë janë, sa janë për shkolla, që kanë dashtë t’i organizojnë që t’i qojnë në shkolla, për mos me e humb mësimin”.

Kryqi i Kuq i Kosovës është një nga organizatat e para që është mobilizuar pas tërmetit në Shqipëri. Burim Seferi nga kjo organizatë  tregon se si janë organizuar dhe kontaktet e para me autoritetet shqiptare.

“Do të thotë Kryqi i Kuq i Kosovës me marrjen e lajmit për tragjedinë dhe fatkeqësinë që ndodhi në Republikën e Shqipërisë, ka mobilizu resurset e veta humane dhe materiale. Dhe menjëherë është kontaktuar Kryqi i Kuq shqiptar për të marrë informatat e para dhe të sakta në bazë të vlerësimit që e ka bërë vet Kryqi i Kuq shqiptar me vullnetarët e saj. Andaj me këtë rast kryesia e Kryqit të Kosovës ka marrë një vendim për të përkrahur Kryqin e Kuq shqiptar, me 10 mijë euro, për arsye se kjo një ndihmë është shumë më e nevojshme në fazën e parë”.

Seferi thotë se tash faza pas tërmetit është faza më e rëndësishme. Ai tregon se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare po vazhdon dhe janë në gjendje gatishmërie, në rast nevoje.
“Faza e rimëkëmbies është faza më e rëndësishme dhe faza më e domosdoshme në të cilën të gjitha institucionet duhet të përgatiten. Andaj edhe Kryqi i Kuq i Kosovës vazhdon të jetë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq shqiptar. Neve i kemi ofruar ekipet psiko-sociale Kryqit të Kuq shqiptar, në atë moment që i nevojiten. Vullnetarët dhe ekipet tona janë të gatshëm në çdo moment që bëhet thirrje, mendoj që brenda orëve të caktuara ata mund të zhvendosen në Republikën e Shqipërisë, ekipe të cilat do të jenë të mbikëqyrura nga Kryqi i Kuq shqiptar”.

Tifo grupi ‘Plisat’ nga Prishtina ishin një nga grupet që u organizuan më së shpejti, për mbledhjen e ndihmave për Shqipërinë. Ata gjatë aksionit të tyre arritën të mblodhën rreth 250 ton ndihma dhe strehuan rreth 150 familje, me diku rreth 370 anëtarë.

Kushtrim Ramadani nga ky tifo grup rrëfen se si arritën të mobilizoheshin ata.

“Aksioni jonë ka filluar qysh në orët e para të mëngjesit, kur kemi marrë informata se ka ndodh një tërmet në Shqipëri. Jemi mobilizu aq shpejtë sa që, nuk kemi besu as vet që mundemi me u mobilizu aq shpejtë, që kemi aq shumë vullnet të menjëhershëm. Domethënë jemi prekur shumë moralisht kur kemi dëgjuar për këtë ngjarje që ka ndodhë. Kemi filluar mbledhjen e gjërave të ndryshme po në këtë vend ku jemi tani, në Fan Clubin tonë”

Ende nuk dihet numri i përgjithshëm i të strehuarve në Kosovë nga Shqipëria, kjo për shkak se shumë prej strehimeve janë bërë në shtëpi private. Prizreni është njëri nga qytetet me numrin më të madh të të strehuarve.