Foto: Kallxo.com

Shtëpia e Kulturës, peng i mosmarrëveshjes në mes MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë

Qytetarët e Vushtrrisë ende nuk kanë një qendër ku mund të ndjekin dhe të ushtrojnë aktivitetet kulturore.

Si pasojë e mosmarrëveshjes në mes MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë, Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina”, e cila ishte planifikuar të përfundoj këtë vit ende nuk është vënë në shërbim të qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri tha që objekti nuk ka përfunduar për shkak se MKRS i kishte ndaluar fondet për vitin 2018 dhe 2019. Ndërsa, sipas Ministrisë së Kulturës brenda vitit 2018 dhe 2019 janë bërë katër pagesa për punimet të kryera.

“Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri nuk është aktivizuar ende për faktin se MKRS-ja ka ndaluar fondet e parapara për vitin 2018 dhe 2019. Ky ndalim fondesh është bërë mbi baza partiake e politike të ish pushtetit. Tani ministrja Dumoshi ka bërë rialokim të mjeteve për 2020 dhe besojmë që këtë vit të përfundohet”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ndërsa, në kundërshtim me këtë bien përgjigjet e MKRS-së, ku thuhet që gjatë këtyre dy viteve janë bërë katër pagesa të punimeve të kryera.

“Bazuar në kërkesat e Komunës së Vushtrrisë për pagesë të situacioneve, brenda vitit 2018 dhe 2019, ne kemi paguar katër situacione të punimeve në vlerë prej 294,880.18 euro. Gjatë vitit 2019 ka qenë në dispozicion buxheti prej 330,000.00 eurosh, i cili nuk është shfrytëzuar në total, meqë janë paguar tri situacione në vlerë prej 194,880.18 euro”, shkruan Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS.

Sipas MKRS-së Komuna e Vushtrrisë ka kërkuar punime të cilat nuk kanë qenë të planifikuara në projekt për të cilat janë ndjekur procedurat të prokurimit.

Ndërsa, sipas përgjigjeve të Drejtorisë së Kulturës, Komuna e Vushtrrisë iu është përmbajtur plotësisht Memorandumit, ndërsa Ministria e Kulturës nuk ka përfunduar obligimet e saj.

“Ju njoftojmë se në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Vushtrrisë ishte nënshkruar një memorandum, me të cilin ishte paraparë që këtë vit të funksionalizohet Qendra e Kulturës. Atij memorandumi i është përmbajtur në plotëni Komuna e Vushtrrisë dhe ka kryer të gjitha obligimet e parapara në të, ndërsa pjesa që i ka takuar ministrisë për t’u realizuar nuk është përmbushur akoma”, tha drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Fatmire Cecelia.

Në objektin e ri parashihet të vendosen zyrtarët e qendrës, ansambli, arkivi, biblioteka dhe teatri.

Ndryshe nga objekti i vjetër në të do vendosen edhe galeria e arteve, sallat e ushtrimeve për vallëzim, salla e konferencave, hapësira për lexues dhe vendosjen e librave.

Për këtë projekt janë paraparë buxhet prej 1,178,132,50 euro dhe është financuar nga Komuna e Vushtrrisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pas shumë vitesh polemika, akuza dhe kundërakuza në mes opozitës dhe pushtetit në vitin 2017 ishte rrënua objekti i vjetër i kulturës “Hasan Prishtina”.