Foto: RTK

Shtëpia e kulturës në Zhegër në gjendje të mjerueshme

Në Zhegër të Gjilanit, shtëpia e kulturës është gjendje të mjerueshme. Opozita kërkon nga qeverisja komunale që të ndërmarrë masa për ta rinovuar këtë objekt. Zyrtarët komunalë thonë se në këtë objekt do të investohet vitin e ardhshëm.

Shtëpia e Kulturës “Idriz Seferi” në Zhegër është në gjendje të mjerueshme … kudo mbeturina, dyer e dritare të dëmtuara, dhe erë që ta zë frymën. Ky objekt kulture është lënë krejtësisht pa përkujdesje institucionale, ndërsa për këtë fajtor janë vetë banorët.

“Këtu duhet ta fajësojmë edhe vetveten  dhe si komunitet, sepse para syve tanë këtu në qendër të fshatit, edhe angazhimi ynë, përkujdesja jonë ka qenë pothuajse me zero. Me kryetarin aktual që është kemi biseduar, mirëpo ai është duke e pritur kërkesën tonë se a jemi të pajtimit që ta rrënojmë apo të vazhdojmë me një punëtor që do ta mirëmban dhe mbikëqyrë këtë hapësirë”, tha Muhadin Haziri, kryetar i Këshillit të Fshatit Zhegër.

Dikur zhegra dhe tërë Gryka e Karadakut në këtë vend mbante aktivitete kulturore të ansambleve dhe shoqërive tjera artistike, ishte vend I kulturës dhe I artit, kishte shfaqje teatrale, por, të gjitha këto tanimë I përkasin të kaluarës, sepse në këtë vend tanimë shfaqet një pamje tjetër

Sipas opozitës, në këtë objekt ka pasur dy herë rinovime nga qeverisja e kaluar por, tash po mungon kujdesi nga banorët dhe nga institucionet, pavarësisht se është nevojë që sa më parë  të intervenohet në këtë qendër të kulturës.

“Kërkesa është që të rrënohet ai objekt në tërësi, të transferohet nga AKP në pronësi të komunës dhe aty është ideja që të bëhet një projekt të ri, me rrethana të reja, edhe me caktuar mirëmbajtësin, roje dhe punëtorë teknik që kujdesën për objektin dhe hapësirën”, thotë Avdyl Aliu, Kryetar i Grupit Këshilltarëve të LDK-së, Gjilan.

“Kjo vjen si rezultat i mosmirëmbajtjes, sepse premtimet janë dhënë se kjo çerdhe do të mirëmbahet, jo vetëm kjo, por të gjitha projektet e realizuara tani janë në amortizim të skajshëm si rezultat I mosmirëmbajtjes dhe kujdesit nga kjo qeverisje”, thotë Nazim Gagica, asamblist i AAK-së, Gjilan.

Drejtori për kulturë në Gjilan thotë se rinovimi megjithatë do të bëhet dhe do të ketë përkujdesje institucionale.

“Ne si drejtori e kemi në plan, dhe vetë kryetari e ka në plan që ta fusim në planin buxhetor për vitin 2023, në mënyrë që të realizohen premtimet, gjegjësisht renovimin e shtëpisë së kulturës në Zhegër. Duhet të jetë një person I punësuar aty, në mënyrë që të ketë mirëmbajtje ose shikim të objektit në vazhdimësi, në mënyrë që të mos vijë deri në gjendjen në të cilën është tash”, thotë Kushtrim Zeqiri, drejtor I Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gjilan.

Rinovimi i shtëpisë së kulturës “Idriz Seferi” pritet t’ia kthejë zërin që kishte Zhegra dikur, dhe do të ndikojë që edhe të rinjtë dhe shoqëritë kulturo-artistike, t’u kthehen aktiviteteve të tyre./RTK