Shtëpia e Bardhë: Nëse Kongresi nuk miraton fonde shtesë, ndihma me armatim për Ukrainën mund të ndalet

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është “pa para dhe pothuajse pa kohë” për të ofruar më shumë armë për Ukrainën, nëse Kongresi nuk miraton fonde dhe mbështetje shtesë. Paralajmërimi, i lëshuar të hënën në një letër drejtuar udhëheqësve të kongresit, thotë se Kongresit i duhet të miratojë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, pa të cilat përpjekjet e Kievit për t’u mbrojtur nga Rusia mund të ndalen.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán kërkoi që një samit i liderëve të BE-së javën e ardhshme ta shmangë çdo vendim mbi qëllimin e lakmuar të Ukrainës për marrjen e miratimit për bisedimet e anëtarësimit. Komisioni Evropian rekomandoi që liderët e bllokut të BE-së ta japin miratimin e tyre për t’i nisur bisedimet e anëtarësimit sapo t’i përmbushë kushtet përfundimtare, por nevojitet marrëveshja e tyre unanime.

Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Rusia nuk duhet t’i përsërisë asnjëherë represionet masive të epokës sovjetike, edhe pse Moska po e kryen një sulm të paprecedentë ndaj kundërshtarëve të fushatës së saj në Ukrainë. “Është e rëndësishme për ne që asgjë e tillë të mos përsëritet në historinë e vendit tonë”- deklaroi Putin në këshillin e tij për të drejtat e njeriut, sipas agjencive ruse të lajmeve, duke iu referuar represionit masiv të parë nën Bashkimin Sovjetik.

Pushtimi rus i Ukrainës, i nisur në shkurt të vitit të kaluar, shkakton rreth 150 milionë ton emetime të dioksidit të karbonit, citohet të ketë thënë zëvendësministrja e mbrojtjes së mjedisit dhe burimeve natyrore të Ukrainës. “Lufta ka një ndikim shkatërrues në mjedis. Ajri, toka dhe uji janë të ndotur si rezultat i luftimeve”- ka thënë Kireyeva, në një konferencë në margjinat e konferencës së klimës Cop28 në Dubai.

Putin ka deklaruar se i vjen keq për përkeqësimin e marrëdhënieve me vendet perëndimore, pasi pranoi kredencialet e dy duzina ambasadorëve të rinj në Kremlin. “Kohët nuk janë të lehta”- u tha Putin të dërguarve. Duke iu drejtuar ambasadorit të ri të Britanisë së Madhe, ai tha “Në periudhën e pasluftës [luftës së dytë botërore] dhe deri vonë, vendet tona ishin në gjendje të ndërtonin marrëdhënie. Por gjendja aktuale e gjërave… dihet mirë dhe ne duhet të shpresojmë që situata – në interes të vendeve dhe kombeve tona – do të ndryshojë për mirë”.

Ukraina zyrtare thotë se ka eksportuar rreth 7 milionë tonë mallra përmes Detit të Zi pavarësisht bllokadës së Rusisë – një rritje më shumë se pesëfish në pak më shumë se një muaj. “200 anije eksportuan 7 milionë tonë ngarkesë”- thuhet në një njoftim të bërë nga ministria e rindërtimit e Ukrainës në një postim në Telegram. Ngarkesa përfshin “pothuajse 5 milionë tonë produkte bujqësore ukrainase”.

Polonia i ka bërë thirrje BE-së t’i rivendosë lejet që e kufizojnë tranzitin për kamionistët ukrainas, ka thënë kryeministri Mateusz Morawiecki ndërsa kamionistët polakë dhe sllovakë bllokuan disa pika kufitare me Ukrainën. Ngasësit polakë të kamionave i kanë bllokuar vendkalimet që nga 6 nëntori, duke kërkuar që BE ta rivendosë një sistem ku kompanitë ukrainase kanë nevojë për leje për të operuar në bllokun e BE-së dhe e njëjta gjë për kamionistët evropianë për të hyrë në Ukrainë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala