Shtëpia e Bardhë në Washington DC, vendndodhja e Kongresit amerikan, Foto: Balkan Insight/Pixabay

Shtëpia e Bardhë jep detaje nga telefonata e Kurtit me Zv. Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jon Finer

Të enjten, më 1 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bisedoi përmes telefonit me zëvendës-këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer.

Shtëpia e Bardhë përmes një njoftimi ka dhënë detaje nga biseda mes Kurtit dhe Finer.

“Z. Finer nënvizoi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa që synojnë de-përshkallëzimin e situatës” – thuhet në njoftim.

Që nga e dita e premte e 26 majit, serbët lokal kanë nis të protestojnë duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve në objektet e komunave.

Kjo çoi në përplasje, fillimisht të forcave të rendit me protestues, e më pastaj, grupet e serbëve lokal u përplasen edhe me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, rreth 30 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar, tre nga ta nga arma e zjarrit, konfirmoi misioni i NATO-s në Kosovë.

Zëvendës-këshilltari për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer kërkoi nga kryeministri Kurti që punët kryetarët e komunave në veri t’i kryejnë jashtë objekteve te komunave.

“Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale” – thuhet tutje në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar në kushte për zgjedhje të reja. Z. Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti” – thuhet në fund të njoftimit.