Foto: REL

Shtëpia e Bardhë: Biden dhe Trump do të takohen në Zyrën Ovale të mërkurën

Presidenti Joe Biden do të presë të mërkurën, më 13.11.2024, presidentin e zgjedhur Donald Trump në Zyrën Ovale, njoftoi Shtëpia e Bardhë të shtunën, më 09.11.2024.

Një takim i tillë është i zakonshëm midis presidentit që po largohet dhe presidentit të ardhshëm dhe ka për qëllim pjesërisht të shënojë fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit në demokracinë amerikane.

Republikani Trump nuk e priti demokratin Biden pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ish-presidenti Trump kandidoi sërish në zgjedhjet e këtij viti dhe mundi zv.presidenten Kamala Harris. Ashtu si presidenti Grover Cleveland në fund të viteve 1800, presidenti Trump do të shërbejë dy mandate të shkëputura, si presidenti i 45-të dhe 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Biden i telefonoi presidentit të zgjedhur Trump të mërkurën e kaluar, 06.11.2024, për ta uruar dhe për ta ftuar të takohej në Zyrën Ovale.

Në një fjalim që mbajti të enjten, më 07.11.2024, presidenti Biden tha se e kishte siguruar presidentin e zgjedhur Trump “se kam urdhëruar të gjithë administratën për të punuar me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan.”

Takimi i tyre është caktuar për në orën 11:00./ VoA